Sport

Goli i parë në Bundesligë i ndihmon Idrizit të bëjë vend te Schalke

Descriptive Text

Një pasim mjeshtëror të ish-lojtarit të Real Madridit, Klaas-Jan Huntelaar, futbollisti kosovar Blendi Idrizi e shfrytëzoi maksimalisht. Pasi shtyu topin para, Idrizi goditi saktë për të shënuar gol për Schalken në Bundesligën e Gjermanisë.

Bundesliga është prej ligave më të vlerësuara të futbollit evropian. Schalke më herët ka humbur gjasat për të mbetur pjesë e saj, por të shtunën shënoi fitoren e tretë të edicionit. E mposhti 4:3 Eintracht Frankfurtin e vendit të pestë. Kontribut në këtë fitore dha Idrizi, një lojtar kosovar ende jo shumë i njohur. Ai shënoi golin e dytë për Schalken, në minutën e 52-të. Goli i tij ishte i bukur.

Idrizi, 23-vjeçar, luajti deri në minutën e 77-të, kur u zëvendësua nga Steven Skrzybski. Shkodran Mustafi kompletoi ndeshjen te Schalke.

Për Idrizin ishte vetëm ndeshja e dytë në Bundesligë. Ai kishte luajtur edhe xhiron e kaluar, ndërsa deri më tani ishte në ekipin e dytë të klubit gjerman, që garon në kategorinë e katërt.

Ndonëse nuk ishte i kënaqur me paraqitjen në ndeshjen e parë, Idrizi me golin e së shtunës ka bërë hap të rëndësishëm drejt sigurimit të kontratës te Schalke. Bëhet fjalë për njërin prej klubeve më të famshme në Gjermani. Edhe në Bundesliga 2, Schalke do të mbetet klub i madh, ndërsa llogaritja eventuale e Idrizit do të ishte hap i madh për kosovarin.

Mesfushori ofansiv ka kontratë vetëm deri më 30 qershor, ndërsa ka treguar ditë më parë për KOHËN se nuk është vendosur për të ardhmen e tij.

Telashet me koronavirus dhe vendimi i klubit për t’iu dhënë hapësirë lojtarëve të ekipit të dytë, kanë krijuar mundësinë e artë për Blendi Idrizin.

“Kemi pasur shumë lojtarë të ekipit U23 që kanë vrapuar në fushë për të ardhmen e tyre”, ka thënë Gerald Asamoah, menaxher i Schalkes dhe ish-lojtar i famshëm. “Kjo është qasja që duhet ta kemi”, ka shtuar Asamoah, duke u dhënë shpresë lojtarëve të rinj.

Idrizi ka thënë se mënyra e festimit të golit ishte falënderim për mundësinë e ofruar.

“Isha shumë i entuziazmuar dhe pak nervoz para debutimit ndaj Herthas. Pas ndeshjes isha pak i dëshpëruar me paraqitjen dhe rezultatin. Nga kjo ndeshje kemi pasur pritje të mëdha. Kështu që jam shumë i lumtur që kemi fituar ndaj Frankfurtit. Jam munduar ta shijoj më shumë ndeshjen këtë herë. Isha më i qetë”, ka thënë Idrizi për sajtin zyrtar të Schalkes.

Ai ka folur edhe për golin e shënuar.

“Huntelaar më ka shërbyer shumë mirë. Vetëm jam munduar ta shtyj topin para dhe ta dërgoj më pas në kënd. Ajo prekje e parë ishte e rëndësishme. Rruga deri te goli më pas më është dukur shumë e gjatë. Nuk kam menduar shumë, gjuajtja është automatike në raste të tilla”.

Ai kishte vrapuar direkt te Asamoah për ta festuar golin dhe për ta falënderuar atë për mundësinë. Ka thënë se pas golit ishte shumë i lumtur.

“Janë momente që nuk i harron asnjëherë”, ka thënë Idrizi, që shpreson ta fitojë rastin edhe ndaj Koelnit në xhiron e fundit.

Idrizi i ka tri paraqitje për Kosovën U21. Me dy paraqitje e një gol në Bundesligë ai mund të llogaritet kandidat për vend te Kosova, sidomos për miqësoret e qershorit.

“Unë kam luajtur tri ndeshje me U21 dhe secila ndeshje, secili grumbullim ishte moment krenarie për mua. Të luash për vendin tënd natyrisht se është krenari. Gjithsesi vendi te Përfaqësuesja A është prej synimeve të mia për të ardhmen. Do të isha shumë krenar nëse marr ftesë”, ka thënë Blendi Idrizi ditë më parë për KOHËN.