Kayky është një nga talentet më premtuese në futbollin brazilian. 17-vjeçari nënshkroi për Manchester Cityn muajin e kaluar dhe do të bashkohet me shokët e tij të rinj të ekipit në janar të vitit të ardhshëm, pasi ta përfundojë sezonin me Fluminensen. Ai tashmë e ka lënë shenjën e tij në Brazil, duke shënuar gola për Fluminensen në kampionatet shtetërore të Rios, dhe duke u bërë debutuesi më i ri i klubit dhe golashënuesi më i ri në Copa Libertadores.
Transferimi i tij shënon një ndryshim në qasje për kampionin e Premier Leagues. Manchester City tani po shkon në rrugën e Real Madridit për të rrëmbyer talentet nga Brazili para se ata të zhvillohen plotësisht. Klubi gjithashtu ka nënshkruar me mesfushorin 18-vjeçar, Diego Rosa, i cili aktualisht është i huazuar në Lommeli, klubi simotër i Cityt në Belgjikë, dhe mbrojtësin e djathtë, fituesin e Kupës së Botës U17, Yan Couto, i cili është dërguar në huazim në Girona, një klub tjetër nën ombrellën e Cityt.
Ndërsa Real Madridi pagoi 50 milionë euro për të transferuar Viniciusin dhe 45 milionë euro për Rodrygon, City duket se ka bërë një pazar shumë të mirë, duke deponuar vetëm tetë milionë euro për Kaykyn sa për fillim, me bonuse në varësi të mënyrës se si ai përparon. Adoleshenti, i cili mund të luajë në dy krahët e sulmit, por ka tendencë të fillojë në të djathtë, për shumë konsiderohet si “Neymari i ardhshëm”. Ai ka realizuar ëndrrën e shumicës së adoleshentëve brazilianë. Por, sipas prindërve të tij Demir dhe Monica, fillimisht zemra e tij ishte vendosur për një profesion tjetër, atë të doktorit.
“Ai gjithmonë ka dashur të jetë pediatër. Por pasi ishte një fëmijë hiperaktiv, ne dëshironim që ai të shpenzonte energjinë e tij duke praktikuar një sport. Ndërsa ai shkonte gjithmonë në stadiumin e futbollit me babanë e tij qëkur ishte dy vjeç. Në fund ai u magjeps nga futbolli dhe dhuratat e tij të ditëlindjes filluan të bëhen topat dhe fanellat”, thotë e ëma Monica.
Talenti i Kaykyt në futboll u pa nga një mik i familjes, i cili e vërejti atë në aksion për shkollën e tij dhe i këshilloi prindërit e tij që ta çonin te Fluminense për një provë. Por sezoni tashmë po fillonte dhe klubi kishte mbyllur dyert për të gjithë të interesuarit. Babai i Kaykyt, Demiri, përmendi gjendjen e krijuar me një mik në një lokal, kur një burrë i tha atij se djali i tij po luante për një ekip në Mangueira – në një projekt shoqëror.
Demir dhe Kayky shkuan atje dhe gjetën një shtëpi. Kayky e kaloi provën e tij dhe u regjistrua në ekipin U9 të Mangueiras. Dhe, për fatin e tij, Kayky ndeshjen e parë e luajti kundër Fluminenses. Kayky shënoi “hat-trick” në fitoren 5:3 dhe u bëri përshtypje aq shumë trajnerëve të Fluminenses saqë e transferuan menjëherë. Suksesi erdhi shpejt te Fluminense, ku ai fitoi disa tituj në futsal, ndërsa përparoi në akademinë e klubit.
“Vit pas viti, ai evoluoi brenda dhe jashtë fushës, duke u pjekur si një person dhe lojtar futbolli”, thotë Guilherme Torres, trajneri i tij tek ekipi U17 i Fluminenses. “Paraqitjet fantastike bënë që atij t’i shfaqen sfida dhe mundësi të reja në jetë. Klubi e kuptoi që Kayky kishte arritur një nivel të pjekurisë për të përjetuar futbollin profesionist dhe menjëherë e promovoi në ekipin e parë, gjë që ishte e natyrshme për një djalosh të talentuar si ai”.
Se si do të dalë mrekullia braziliane pasi të kalojë Atlantikun po pyesin të gjithë, por prindërit e tij besojnë se ai ka pjekurinë e duhur për një hap kaq të madh në karrierë. Ata ua atribuojnë suksesin e deritanishëm të Kaykyt “përqendrimit dhe vendosmërisë” së tij, duke thënë se ai “gjithmonë ka qenë shumë i përkushtuar në arritjen e qëllimeve të tij dhe tejkalimin e tyre”.
Monica dhe Demir thonë se djali i tyre tashmë po merr mësime anglisht për t’u adaptuar sa më shpejt dhe më lehtë te City.
Megjithëse nuk kishin mundësi të blinin një makinë për ta dërguar atë në lojëra, duke u mbështetur në transportin publik, prindërit e Kaykyt dhe veçanërisht gjyshja e tij e kanë përkrahur shumë. Gjyshja u kujdes për të derisa prindërit ishin duke punuar dhe ia bënte ushqimin atij para dhe pas trajnimit.
“Ne gjithmonë e mbështesim dhe inkurajojmë atë në ndjekjen e ëndrrave të tij, duke ngrënë mirë, duke fjetur herët, duke privuar veten nga disa gjëra të moshatarëve të tij vetëm për të realizuar synimet”, tha babai Demir.
Prindërit e tij janë krenarë për djalin dhe jo vetëm për suksesin e tij në fushë. Ai është një student i mirë, i cili gjithmonë ka arritur nota të larta dhe kalon mirë me të dashurën. Kaykyt i mjaftojnë daljet familjare dhe daljet në plazh në kohën e lirë. Për Kaykyn, shpagimi i familjes për mbështetjen dhe ofrimi i jetës që meritojnë familjarët ka qenë gjithmonë motivimi kryesor.
“Gjithmonë kam ëndërruar të jem në gjendje të ndihmoj familjen time”, insiston ai. “Ishte një ëndërr që e pashë qëkur isha fëmijë, të siguroja një të ardhme më të mirë për këdo që më ndihmoi të arrija këtu ku jam. Më motivoi shumë. Më dha shumë forcë në jetën time të përditshme”.
Sa herë që shënon ai e nderon babanë e tij, Demirin. Kayky thotë se është i befasuar që ai ka arritur kaq shumë në moshën e tij “edhe pse unë besoj në veten time”.
“Unë jam aq i lumtur që kaq i ri tashmë mund ta ndihmoj ekipin tim dhe të kem një sezon të shkëlqyeshëm te Fluminense. Lojtarët si Fred dhe Nene më kanë ndihmuar shumë dhe më kanë dhënë shumë këshilla të mira në fushë të tilla si ku të pozicionohem”, shprehet Kayky.
Fluminense gjithashtu ka luajtur një rol të madh në zhvillimin e tij.
“Unë gjithmonë kam pasur një marrëdhënie të shkëlqyeshme me Kaykyn”, thotë Torres. “Unë e njihja atë për shumë vite, madje edhe para se të isha trajner i tij. Ne gjithashtu kemi një departament shumë aktiv psikologjik, arsimor dhe social në akademinë tonë për të ndihmuar djemtë. Gjatë periudhës që isha me të, u përpoqa ta bëja atë të reflektonte se ku do të donte të shkonte në karrierën e tij dhe se në çfarë duhet të mbështetej për të arritur atë qëllim. Ne gjithmonë kemi kërkuar të evoluojmë disa aspekte të lojës së tij, të tilla si aftësia për të përfunduar aksione dhe shënuar gola, për shembull. Unë gjithmonë jam përpjekur të jem një referencë pozitive për të, duke bashkëpunuar me të në zhvillimin e tij personal dhe profesional”.
Kayky shquhet për inteligjencën, aftësinë teknike dhe shpejtësinë në veprimet e tij. Virtytet e tij kryesore janë kontrolli i topit, driblimi dhe përfundimi i fuqishëm.
“Ai po arrin të përshtatet gjithnjë e më shumë me këtë lojë ndeshje pas ndeshjeje”, shtoi Torres.
Kayky ka kohë deri në fund të këtij viti që të perfeksionojë lojën e tij dhe të bëhet gati për aventurën në Premier League, te Manchester City.