Sport

Juventusi kërkon nga futbollistët që të pranojnë vonesën e pagave

E përditshmja italiae “Gazzetta dello Sport” të premten ka konfirmuar se drejtuesit e Juventusit u kanë kërkuar futbollistëve të pranojnë një vonesë në pagat e tyre për katër muaj për ta ndihmuar klubin financiarisht.

Në fakt, Juventusi ka kërkuar nga lojtarët që të pranojnë t’i marrin pagat me vonesë për muajin mars, prill, maj dhe qershor por që ende nuk ka marrë një përgjigje definitive. Një vit më parë, lojtarët e Juventusit pranuan që t’iu vonoheshin pagat pas shpërthimit të pandemisë.

Kjo vonesë, e lejoi Juventusin të kursente 90 milionë euro në vitin financiar dhe drejtuesit e klubit po shpresojnë që të marrin një përgjigje pozitive nga lojtarët edhe kësaj here. Megjithatë, para ndeshjes me Sassuolon të zhvilluar të mërkurën, trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo mohoi se kryesia u ka kërkuar që t’ua vonojë pagat.

“Tani për tani, jemi në rregull dhe nuk kemi pasur asnjë kërkesë. Pagat gjithmonë janë paguar me kohë dhe jemi të qetë”, ishin fjalët e Pirlos.