Sport

Skuadra amatore Rumilly-Vallieres ëndërron suksesin në Kupën e Francës

Nuk është saktësisht një emër që e kanë pritur shumica, por ekipi i vogël Rumilly-Vallieres e ka vendosur veten në hartën e futbollit francez me një “vrapim” të jashtëzakonshëm në Kupën e Francës, që e ka dërguar deri në gjysmëfinale.

Në gjysmëfinale ekipi amator do të përballet me emrin e fuqishëm të futbollit në Francë, Monaco. Muajin e kaluar, në ditën kur planet për një Superligë Evropiane të shkëputur që përfshinte disa nga klubet më të mëdha të kontinentit po shkatërroheshin, Rumilly-Vallieres ua bëri të gjithëve me dije se edhe ekipet e vogla mund të maten me të mëdhatë dhe të kenë sukses. Atë ditë Rumilly-Vallieres e eliminoi Toulousen, ekip që bën gara në Ligue 2, në çerekfinalen e Kupës së Francës. Tani, të enjten, skuadra amatore përballet me një skuadër që po lufton për t'u kualifikuar në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Nëse Rumilly-Vallieres arrin të bëjë edhe një befasi duke e mposhtur klubin nga principata, atëherë do të kualifikohej në finalen e javës së ardhshme, ku do të përballej me fituesin e gjysmëfinales tjetër ndërmjet Paris Saint-Germainit dhe Montpellierit në “Stade de France”.

Pas fitores 2:0 në çerekfinalen në “Parc des Sports” në Annecy, një terren i cili ofron pamje spektakolare të Alpeve, lojtarët festuan në fushë, duke lëshuar këngë me megafon. Deri vonë, shumica e tifozëve në Francë nuk do të kishin qenë në gjendje të vendosnin në hartë klubin amator që u themelua vetëm në vitin 2018 si rezultat i një bashkimi midis katër ekipeve nga rajoni i përgjumur i Haute-Savoie në Alpe, në kufi me Zvicrën. Gjasat për të pasur sukses në Kupën e Francës gjithmonë do të ishin kundër një ekipi nga rajoni, që garon në nivelin e katërt amator të futbollit francez, aq më tepër duke pasur parasysh përçarjen e shkaktuar nga pandemia COVID-19. Megjithatë, Rumilly-Vallieres ka befasuar të gjithë dhe ka tejkaluar çdo pengesë deri më tani.

Në fund të muajit të kaluar, Federata e Futbollit e Francës vendosi që nivelin e katërt ta shpallë të përfunduar, saktësisht të pavlefshëm. Rumilly-Vallieres kishte luajtur vetëm një ndeshje kampionati që nga fundi i tetorit për shkak të bllokimeve dhe kufizimeve të ndryshme të Francës në nivelin e ekipeve amatore. Pavarësisht nga kjo, klubi ka bërë një arritje të paharrueshme në Kupë, duke kaluar nëntë raunde që nga tetori, duke përfshirë tri fitore me anë të penalltive. Gjithçka kulmoi me fitoren në çerekfinale kundër Toulouset, pavarësisht se ndeshja u zhvendos në qytetin e bukur pranë bregut të Detit Annecy dhe u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të kufizimeve të koronavirusit.

“Ne dëshironim të përballemi me PSG-në apo Monacon dhe dëshira jonë është realizuar për në gjysmëfinale. Ishte një short magjepsës”, tha trajneri Fatsah Amghar. “Jemi gati edhe për befasinë e radhës”.

Ndërkohë, sulmuesi Ashley Moke që ka filluar të stërvitet boks kohët e fundit për të mbajtur formën në mungesë të ndeshjeve të ligës, me padurim pret duelin me Monacon të enjten.

“Është madhështore kjo që ka ndodhur, e pabesueshme”, shtoi Moke. “Jemi të gatshëm dhe do të synojmë ta eliminojmë edhe Monacon. Mrekullitë ndodhin dhe ne tashmë jemi mrekullia e Kupës së Francës”.

Shumica e lojtarëve të Rumilly-Vallieres kanë punë ditore, me qendërmbrojtësin Jean-Manuel Ribeiro që punon në një bankë dhe mesfushorin Stephane Viglierchio që punon gjashtë ditë në javë në një qumështore me ndërrime, duke filluar nga ora 5:30 e mëngjesit. Qumështorja, e cila prodhon djathëra të njohur rajonalë si Reblochon dhe Emmental, drejtohet nga Luc Chabert, një nga katër presidentët e përbashkët të klubit të futbollit.

Megjithatë, Rumilly-Vallieres mburret me lojtarët me përvojë të nivelit të lartë, përfshirë mbrojtësin Dorian Leveque, i cili luajti në Ligue 1 dhe fitoi Kupën e Francës me Guingampin në vitin 2014. Dhe, gjithashtu mund të marrë frymëzim nga suksesi i ekipeve tjera të vogla në Kupën e Francës që e kanë pasur vitet e fundit. Skuadrat e nivelit të tretë, Quevilly dhe Les Herbiers janë kualifikuar në finale në dekadën e fundit, ndërsa amatorët e Calais arritën në finale në vitin 2000.