Sport

MKRS-ja arsyeton zvogëlimin e përkrahjes për federatat: Kaq kemi mundësi

“Vlera e koeficientit për pikëzim është bazuar në buxhetin aktual të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në linjën e subvencioneve dhe transfereve të Departamentit të Sportit. Duke konsideruar planifikimin buxhetor paraprak, obligimet e trashëguara nga viti i kaluar dhe gjendjen e rënduar financiare për shkak të pandemisë COVID-19, ne kemi vepruar paralelisht me mundësitë financiare që Ministria i ka momentalisht”, thuhet në një përgjigje të MKRS-së. Federatat, pa ndonjë reagim zyrtar për uljen e buxhetit prej rreth 40 për qind

Rreth 40 për qind u është zvogëluar federatave sportive buxheti për vitin 2021, krahasuar me buxhetin që e kishin në vitin 2020. Por asnjë prej federatave nuk ka reaguar zyrtarisht për këtë ulje, ndërkohë që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka arsyetuar vendimin. Madje, sipas MKRS-së, ulja e vlerës së koeficientit për pikë, nuk duhet kuptuar si zvogëlim i përkrahjes së sportit në vendin tonë.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të premten ka nënshkruar memorandumet e bashkëpunimit me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe me nëntë federata sportive. Përmes memorandumeve përcaktohet përkrahja financiare për federatat sportive nga MKRS-ja, përkatësisht nga buxheti i shteti.

Për bazë merret kategorizimi i sporteve, të cilin e bën Komiteti Olimpik i Kosovës në bazë të kritereve të shumta si sukseset e masiviteti, ndër të tjera. Për vitin 2021 është marrë për bazë kategorizimi i vitit të kaluar, për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi. Dhe rrjedhimisht federatat kanë pritur që përkrahja të jetë e njëjtë apo e përafërt me atë të vitit të kaluar. Por MKRS-ja, ndonëse nuk e ka bërë publike, e ka ulur vlerën e pikës me të cilën shumëzohen pikët e kategorizimit për të dhënë shumën e përkrahjes financiare. Dhe kjo ka bërë që përkrahja të ulet ndjeshëm.

Federatat në faqet zyrtare kanë njoftuar për nënshkrimin e memorandumeve, por pa e përmendur zvogëlimin e përkrahjes.

Ndërkohë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit thonë se mundësitë financiare kanë bërë që të ulet vlera e pikës.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar memorandumet e bashkëpunimit me nëntë federata sportive dhe me Komitetin Olimpik të Kosovës. Gjatë javës së ardhshme do të nënshkruajë memorandumet edhe me federatat e tjera të licencuara në Ministrinë tonë. Rekomandimet e pranuara nga KOK-u për pikëzimin e federatave janë po të njëjtat me rekomandimet e vitit 2020. Ndërkohë vlera e koeficientit për pikëzim është bazuar në buxhetin aktual të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në linjën e subvencioneve dhe transfereve të Departamentit të Sportit. Konsideruar planifikimin buxhetor paraprak, obligimet e trashëguara nga viti i kaluar dhe gjendjen e rënduar financiare për shkak të pandemisë COVID-19, ne kemi vepruar paralelisht me mundësitë financiare që Ministria i ka momentalisht”, thuhet në një përgjigje me shkrim për KOHËN të Dorotea Deshishkut nga kabineti i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

“Kjo ulje e vlerës së koeficientit për pikë, nuk duhet kuptuar si zvogëlim i përkrahjes së sportit në vendin tonë, por duhet racionalizuar me rënien dhe kufizimet në buxhetin e Republikës së Kosovës. Andaj, në takimin e së premtes, u kemi bërë thirrje federatave sportive që përgjatë kësaj periudhe, aktivitetet e tyre t’i koordinojnë konform prioriteteve të sportistëve dhe klubeve sportive”, ka shtuar Deshishku.

Ajo ka konfirmuar se KOK-u dhe federatat do të kenë përkrahje pos asaj që parashikohet në memorandumet tashmë të nënshkruara.

“Federatat sportive dhe Komiteti Olimpik i Kosovës do të marrin mbështetje financiare shtesë përtej bazës së memorandumeve të nënshkruara. Sigurimi i buxhetit për të rritur subvencionimin e sportit do të bëhet me rishikimin e buxhetit për vitin 2021”, shkruan tutje në përgjigjen e Deshishkut të MKRS-së.

Ndërkohë, fokusi i MKRS-së do të jetë përkrahja e xhudistëve, prej të cilëve priten medalje olimpike në “Tokio 2020”.

“Duke konsideruar se jemi në vit olimpik dhe deri më tani kemi siguruar gjashtë norma olimpike – pesë nga Federata e Xhudos dhe një nga Federata e Mundjes – me prioritet do të trajtohen federatat që do të reprezentojnë Kosovën në Lojërat Olimpike. Për ne është e domosdoshme mbështetja e federatave dhe sportistëve të cilët vazhdimisht renditin Kosovën në piedestal të arenave sportive. Në Tokio 2020 pritshmëri të mëdha kemi në performancat e xhudistëve kosovarë. Për këtë, përkrahja e tyre do të ketë fokus të veçantë”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së për KOHËN.

Në bazë të memorandumeve të nënshkruara, ulja e buxhetit të KOK-ut është më e vogël se e federatave sportive. Ndërkohë, Federatës së Basketbollit, Hendbollit dhe Volejbollit buxheti i është ulur për më shumë se 100 mijë euro. Federatës së Notit buxheti nga 93 mijë euro i është ulur në 52 mijë euro.

Për federatat e sportive kolektive që janë në kategorinë A, vlera e pikës është ulur nga 3400 euro në 2000 euro.

“Buxhetin për këtë vit e kemi të projektuar në 1 milion euro. Në këtë shumë i kemi llogaritur që t’i marrim rreth 260 mijë nga MKRS-ja, pra një të katërtën. Tani do t’i marrim rreth 100 mijë më pak nga MKRS-ja. Natyrisht, nuk e kemi pritur mirë, pasi do të ishte mirë që një të katërtën e buxhetit ta mbulojë Qeveria. Kjo na shkakton pak kokëçarje, pasi duhet t’i sigurojmë edhe 100 mijë euro të tjera nga sponsorët”, ka thënë të premten për KOHËN, Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës.

“Buxheti ynë është ulur për më shumë se 100 mijë euro nga MKRS-ja”, ka konfirmuar Valon Nikqi, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Volejbollit të Kosovës.

“Vlera e pikës, nga 1600 ka rënë në 900 euro në kategorinë B. Është rënie shumë e madhe. Është pritur të ketë rënie deri në 20 për qind për shkak të pandemisë, por rënia është 40 për qind dhe është shumë. Ne prej buxhetit të shtetit për këtë vit i kemi pak më shumë se 52 mijë euro. Ndoshta përfitojmë nga ndonjë projekt në federatën botërore apo evropiane, por buxheti i shtetit nuk është i kënaqshëm. Do të pamundësohet pjesëmarrja në shumë gara, shumë aktivitete. Vjet i kishim rreth 93 mijë euro. Nuk po them që nuk mund t’ia dalim, por jemi në fazë tjetër dhe është dashur të jetë përkrahja më e madhe. Vjet i kemi ndihmuar klubet dhe me këtë ulje kjo është e pamundur për këtë vit. Është buxhet goxha sfidues, por shpresojmë që vitet e ardhshme të rregullohet”, kishte theksuar Astrit Haliti, kryetar i Federatës së Notit të Kosovës.

Federatat është dashur që në fillim të vitit ta mësojnë buxhetin për 2021. Edhe memorandumet duhet të nënshkruhen në fillim të vitit, por ato janë shtyrë deri në muajin e pestë.

Vjet jo të gjitha federatat kanë marrë gjithë përkrahjen e paraparë me memorandume. Disa nuk kanë marrë fare pjesën e katërt e disa madje as të tretën. Ndërkohë, shumë federata e klube kanë përfituar nga Ligji për Sponsorizim, që për herë të parë është aplikuar vjet.

Gjithsesi, mungesa e reagimit zyrtar nga federatat lë të kuptohet se buxheti i ndarë nga MKRS-ja, e që për shumicën është burimi thuajse i vetëm, është i mjaftueshëm.