Sport

Hamiltoni e fiton ‘pole-position’ numër 100 në karrierë

Lewis Hamiltoni e ka fituar ‘pole-position’ e 100-të në karrierën e tij, edhe pse mezi e kaloi me kohë më të shpejtë Max Verstappenin në kualifikimet për Grand-Prixin e Spanjës që u mbajt të shtunën.

Hamiltoni pati xhiro të jashtëzakonshme me Mercedesin duke e përfunduar pistën për 1 minutë e 16.74 sekonda. Verstappen me Red Bullin ishte vetëm 0.03 sekonda prapa.

“Punë e mirë! E gjitha kjo është puna e palodhur”, i ka thënë Hamiltoni ekipit të tij në radio duke e festuar edhe këtë fitore.

“Nuk mund ta besoj se jemi në 100 fitore. Kjo padyshim se është arritur falë meshkujve dhe femrave në fabrikë të cilët po bëjnë punë të shkëlqyer”, ka thënë Hamiltoni pasi doli nga “Shigjeta e Argjendtë”.

Ngasësi tjetër i skuadrës së Mercedesit, Valtteri Bottas, që është në ekip me Hamiltonin, përfundoi i treti, që u përcoll nga Charles Leclerc i Ferrarit.

Hamiltoni prinë në renditjen e përgjithshme të Formula 1 me tetë pikë më shumë se Verstappeni. Të dielën do të mbahet gara e katërt e sezonit në Formula 1.

Hamiltoni e ka fituar Grand-Prixin e Spanjës pesë herë, përfshirë triumfet në katër herët e fundit. Të dielën, ai do ta kërkojë ta barazojë Michael Schumacherin me gjashtë fitore në Montmelo.

Mercedesi e ka fituar ‘pole-position’ në pistën Barcelona-Catalunya të gjatë 4.6 kilometra në çdo vit që prej 2013-tës.

Të dielën, Hamiltoni do ta synojë fitoren e 98-të në karrierë, në pistën të cilën e ka fituar në katër vitet e fundit. Ai vitin e kaluar e theu rekordin e Schumacherit me 91 fitore.

Sivjet do ta kërkojë çmimin më të madh. Kalimin e shtatë kampionateve botërore të fituara, rekord ky që mbahej nga Schumacheri, e që vitin e kaluar u barazua nga britaniku Hamilton.