Sport

Kosova humb nga Mali i Zi në “EuroVolley 2021”

Përfaqësuesja e Kosovës në volejboll në konkurrencën e femrave, i ka nisur me humbje kualifikimet për “EuroVolley 2021”.

Të premten në Podgoricë, Kosova u mposht nga Mali i Zi në ndeshjen e parë me rezultatin 3:0 në sete.

Në Podgoricë, Kosova do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje tjera kualifikuese.

Evropiani për volejbolliste do të mbahet prej 18 gushtit deri më 4 shtator në katër shtete, Serbi, Bullgari, Kroaci dhe Rumani.

Në këto kualifikime janë gjithsej 23 përfaqësuese evropiane që janë të ndara në gjashtë grupe, ndërsa dy të parat në secilin grup kualifikohen në Evropian.

Volejbollistet e drejtuara nga trajneri Lorik Ilazi setin e parë e humbën me rezultatin 25:21. Në setin e dytë, Kosova në mungesë edhe të përvojës, humbi me shifrat 25:14, kurse seti i tretë përfundoi me rezultatin 26:24.

Dhurata Sylejmani ishte më e dalluara në këtë duel pavarësisht humbjes së Kosovës. Sylejmani arriti që t’i realizojë 16 pikë.

Ndeshjen e radhës, Kosova e luan të shtunën me Sllovakinë nga ora 17:00, kurse të dielën ballafaqohet me Finlandën.

Duelet tjera kualifikuese të Grupit D do të luhen prej 13 deri më 15 maj në Sllovaki.