Sport

Hamiltoni dhe Verstappeni përgatiten për Grand-Prixin e Spanjës

Gara për titullin e botës në Formula 1 për vitin 2021 është kthyer në një shfaqje të dy ngasësve.

Lewis Hamilton dhe Max Verstappen nuk pritet ta ndryshojnë ritmin, dhe që të dy pritet të luftojnë shumë për vendin e parë në garën e katërt të sezonit. Në fundjavë do të jetë Grand-Prixi i Spanjës në Barcelonë.

Pista e Barcelonës njihet mirë nga të gjithë, por Mercedesi dhe Red Bulli pritet të vazhdojnë dominimin. Hamiltoni dhe Verstappeni kanë diferencën e tetë pikëve pas tri garave, 69 me 61.

Hamiltoni është katër herë fitues rresht me Mercedesin. Por për kundërshtar të denjë sivjet do ta ketë Verstappenin. Mercedesi fitoi në garën hapëse në Bahrejn dhe në javën e kaluar në Portugali.

Megjithatë, Red Bulli me sukses është duke marrë pjesë këtë sezon. Verstappeni fitoren e parë të sezonit e arriti në Itali, ndërsa e pati “pole-position” në Bahrejn nga tri garat e para.

I treti në renditje është britaniku Lando Norris me 37 pikë me skuadrën e McLarenit. Ai ka pesë pikë më shumë se Valtteri Bottas i Mercedesit.

Charles Leclerc i Ferrarit renditet i pesti me 28 pikë.