Skuadra e Manchester Cityt po bën gati ofertën për mesfushorin e Aston Villas, Jack Grealish. “Football Insider” ka shkruar të enjten se City është i gatshëm të ofrojë rreth 60 milionë euro për ta bindur Aston Villan në lirimin e kapitenit të saj.
Trajneri i Cityt, Pep Guardiola e pëlqen shumë Grealishin dhe e sheh si përforcim ideal për mesfushën në sezonin e ardhshëm. Grealish 25-vjeçar është njëri prej mesfushorëve më të dalluar këtë edicion në Premier League. Ai ka shënuar shtatë gola dhe ka bërë 12 asistime në 23 paraqitje për Aston Villan në të gjitha garat. Grealish ka kontratë me Aston Villan deri në vitin 2025 kurse është edhe reprezentues i Përfaqësueses së Anglisë.