Komesari i Garave i Federatës së Basketbollit të Kosovës, ka regjistruar me rezultat zyrtar ndeshjen e ndërprerë të martën në Prizren, pas përleshjes, në favor të Pejës.
KG i FBK-së ka regjistruar ndeshjen me rezultat zyrtar 20:0, dhe kështu Peja është kualifikuar në finale të plejofit të Superligës.
Ndeshja u ndërpre pas 20 minutave lojë, kur pasi lojtarët e Pejës po shkonin ë zhveshtore, nisi një përleshje ku u përfshinë lojtarë e zyrtarë të dy skuadrave, por edhe shikues.
Rezultati në serinë gjysmëfinale ishte 2:2 dhe me fitoren “në tavolinë”, Peja shkon në finale, ku do të takohet me Yllin.
Ponte Prizreni, si organizator i ndeshjes është dënuar me 4000 euro për lëshime në organizim dhe me zhvillimin e tri ndeshjeve pa prezencën e publikut në sezonin e ardhshëm. Peja ndërkohë është dënuar me 600 euro si dhe i janë suspenduar dy lojtarët e huaj për dy ndeshje, Aj Walton dhe Brandon Walters. Ata janë gjobitur edhe me nga 400 euro për përfshirje në përleshje.
Kapiteni i Pejës, Dardan Berisha, është gjobitur me 100 euro.
Te Ponte, Leurit Morina është dënuar me dy ndeshje moslojë dhe me 400 euro.
Të gjitha vendimet e Komesarit të Garave për ndeshjen Ponte - Peja
- Konform Nenit 39.6.4 të Propozicioneve të Garave gjyqtari i parë në konsultim me vëzhguesin e ndeshjes vendos për ndërprerjen e ndeshjes KB Ponte Prizreni - Peja pas sulmit ndaj lojtarëve të KB Peja.
- KB Ponte Prizreni Konform Nenit 49.15 të Propozicioneve të Garave (në pajtim me Nenin 39.6.6) dënohet me 4.000 euro dhe 3 ndeshje pa prezencën e shikuesve për edicionin 2021/22.
- Konform Nenit 39.6.6 të Propozicioneve të Garave me vendimin e marr nga gjyqtari i parë, ndeshja regjistrohet me rezultat zyrtar 20:0 në favor të KB Peja, kurse KB Ponte Prizreni eliminohet nga garat e Play Off-it.
- Konform Nenit 16.1 dhe Konform Nenit 50.2.1 të Propozicioneve të Garave trajneri i KB Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati dënohet me 500 euro.
- Konform Nenit 16.1 dhe Konform Nenit 50.2.1 të Propozicioneve të Garave, Kryetari i KB Ponte Prizrenit, Zgjim Kryeziu dënohet me 500 euro.
- Konform Nenit 48.5 të Propozicioneve të Garave KB Ponte Prizreni dënohet me 200 euro.
- Konform Nenit 48.15 të Propozicioneve të Garave, KB Ponte Prizreni dënohet me 300 euro.
- Konform Nenit 49.3 të Propozicioneve të Garave KB Ponte Prizreni dënohet me 400 euro.
- Brandon Walters (KB Peja) Konform Nenit 50.6 të Propozicioneve të Garave dënohet me 400 euro dhe 2 ndeshje mos paraqitje për KB Peja.
- Aj Walton (KB Peja) Konform Nenit 50.6 të Propozicioneve të Garave dënohet me 400 euro dhe 2 ndeshje mos paraqitje për KB Peja.
- Leurit Morina (KB Ponte Prizreni) Konform Nenit 50.6 të Propozicioneve të Garave dënohet me 400 euro dhe 2 ndeshje mos paraqitje për KB Ponte Prizreni.
- Dardan Berisha (KB Peja) Konform Nenit 50.1 të Propozicioneve të Garave dënohet me 100 euro.
- Konform Nenit 49.11 të Propozicioneve të Garave, KB Peja dënohet me 600 euro.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.