Angazhimi i Jose Mourinhos te skuadra e Romës duhet të jetë argëtues. Trajneri më i përfolur dhe më karizmatik i futbollit, Mourinho, do ta marrë drejtimin e Romës prej sezonit të ardhshëm.
Roma është njëra prej ekipeve me tifozët më fanatik në Itali dhe Mourinho ka paralajmëruar se me padurim pret ta fillojë punën tek ekipi italian. Zyrtarizimi i Mourinhos te Roma ka ardhur dy javë pas shkarkimit te skuadra e Tottenhamit për shkak të rezultateve të dobëta. Tekniku portugez me ekipin nga Serie A ka firmosur kontratë deri në qershorin e vitit 2024.
“Pasioni i pabesueshëm i tifozëve të Romës më bindi që të pranoj punën dhe mezi pres të filloj sezonin e ardhshëm”, tha Mourinho në njoftimin surprizë të Romës, të martën.
Detyra e Mourinhos do të jetë të sfidojë kampionin e ri të Serie A, Interin, ekipin me të cilën e fitoi “tripletën” që edhe mbetet suksesi më i madh i tij. Këtë e arriti në vitin 2010, kur punoi për herë të parë në Itali.
“Ne jemi të entuziazmuar dhe të kënaqur që mirëpresim Jose Mourinhon në familjen AS Roma”, thanë presidenti i klubit, Dan Friedkin dhe nënkryetari Ryan Friedkin.
“Një kampion i madh që ka fituar trofe në çdo nivel, Jose do të sigurojë udhëheqje dhe përvojë të jashtëzakonshme në projektin tonë ambicioz”.
Me Romën në vendin e shtatë në Serie A dhe pranë eliminimit në gjysmëfinale të Ligës së Evropës, Mourinhon e pret një sfidë e madhe me klubin. Ndërsa Roma arriti në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në vitin 2018, ekipi nuk ka fituar një trofe të vetëm që nga ngritja e Kupës së Italisë në vitin 2008.
Kapiteni tashmë i pensionuar, Francesco Totti e udhëhoqi Romën drejt titullit të tretë dhe të fundit në Seria A në vitin 2001. Skuadra aktuale e ka lider 24-vjeçari Lorenzo Pellegrini, megjithëse lojtari më i talentuar i ekipit mund të jetë mesfushori tjetër Nicolo Zaniolo, i cili ka humbur gjithë këtë sezon për shkak të dëmtimit.
“Emërimi i Joses është një hap i madh në ndërtimin e një kulture fituese afatgjate dhe të qëndrueshme në të gjithë klubin”, tha Dan Friedkin, i cili bleu klubin vitin e kaluar nga James Pallotta për të ruajtur pronësinë amerikane.
Njoftimi për punësimin e Mourinhos erdhi disa orë pasi Roma njoftoi se trajneri aktual Paulo Fonseca do të largohet në fund të këtij sezoni. Kontrata e Mourinhos është për tri sezone, edhe pse ai nuk do ta marrë përsipër ekipin deri pas këtij sezoni.
Mourinho ka qenë trajner i Portos, Chelseat, Real Madridit, Manchester Unitedit dhe Tottenhamit. Në total, si trajner ai ka fituar 58 trofe. Te Roma, Mourinho mund të flasë gjuhën e tij amtare me portugezin Tiago Pinto, menaxherin e përgjithshëm të ekipit. Trajneri portugez duhet të ringjallë karrierën e tij pasi apatia në zhveshtore dhe zhgënjimi në rritje nga taktika e tij, i kushtoi Mourinhos me shkarkim te Tottenhami pas 17 muajsh në krye të ekipit nga Londra. Kjo ishte puna më e shkurtër e Mourinhos në një ekip.
“Pas takimeve me pronarët dhe Tiago Pinton, unë menjëherë kuptova shkallën e plotë të ambicieve të tyre për Romën”, tha Mourinho. “Është e njëjta ambicie dhe nxitje që më ka motivuar gjithmonë. Së bashku ne duam të ndërtojmë një projekt fitues gjatë viteve të ardhshme”.
Fonseca do të jetë në krye të Romës deri në fund të sezonit. Ai do ta udhëheqë ekipin në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Ligës së Evropës kundër Unitedit të enjten mbrëma, si dhe në katër ndeshjet e mbetura të këtij sezoni në Serie A.
“I uroj Paulo Fonsecas çdo të mirë dhe shpresoj që mediat të kuptojnë që unë do të flas në lidhje me Romën më vonë, pra në kohën e duhur”, shtoi Mourinho, përpara se ta mbyllte me një brohoritje në dialektin vendas: “Daje Roma!” (Përpara Roma).