Sport

Federatat s’marrin përgjigje se kur do t’u ndahen paratë e para për këtë vit

Descriptive Text

Janë pak federata sportive të Kosovës që kanë marrë paratë për tremujorin e fundit nga memorandumi i nënshkruar me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2020. Asnjë federatë sportive e vendit nuk ka marrë asnjë cent nga shteti për këtë vit, ndonëse po përfundon muaji i katërt.

Në bazë të memorandumeve, federatat mbështeten me katër këste që duhet të ndahen çdo tre muaj.

Vonesa ka pasur edhe në të kaluarën, por jo si këtë vit. Obligimet financiare të MKRS-së lindin nga memorandumet që firmosen në fillim të vitit me federatat dhe Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK). Këtë vit nuk janë firmosur as memorandumet.

Drejtuesit e KOK-ut, në takim me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kanë kërkuar që sa më shpejt të bëhet nënshkrimi i memorandumeve. Por, as KOK-ut e as federatave nuk u është dhënë ndonjë datë se kur do të nisë nënshkrimi i memorandumeve. Një përgjigje konkrete nuk ka marrë as KOHA.

“Çështja në fjalë lidhet drejtpërdrejt me proceset e brendshme, të cilat po i ndërmerr aktualisht Ministria, si dhe me zhvillimin e një pasqyre më të mirë e të gjithmbarshme të Ministrisë, të të gjithë sektorëve që ajo mbulon. Jemi të vetëdijshëm për urgjencën me të cilën duhet vepruar dhe jemi duke bërë çmos për t’i adresuar çështjet që janë me prioritet dhe që kërkojnë reagim të shpejtë në afat të shkurtër kohor. Por, gjithashtu, jemi duke folur për procese që domosdo kërkojnë kohë dhe procedura të caktuara. Jemi duke e trajtuar seriozisht këtë çështje dhe do t’i japim zgjidhje të shpejtë”, ka thënë të enjten për KOHËN këshilltari politik i ministrit Çeku, Qerim Ondozi.

Në fakt, memorandumet janë të gatshme. Madje, dihet edhe shuma të cilën duhet ta përfitojnë federatat. Për këtë vit, MKRS-ja në koordinim me KOK-un për kategorizim i kanë marrë për bazë rezultatet e vitit 2019. 2020-a vlerësohet si vit i pazakontë, jo vetëm në Kosovë por në gjithë botën, shkaku i pandemisë. Kategorizimi merret për bazë me rastin e nënshkrimit të memorandumeve.

Shkaku i pandemisë, shumë federata nuk kanë marrë pjesë në ngjarje të mëdha, siç janë kampionate evropiane dhe botërore. Në fakt, është shtyrë edhe ngjarja më e madhe në sport – Olimpiada. Shumë federata dhe sportistë nuk kanë mbajtur gara as në nivel vendi e as ndërkombëtar.

Dhe, për të mos u dëmtuar federatat, MKRS-ja dhe KOK-u kanë vendosur t’i marrin për bazë rezultatet e vitit 2019.

Kategorizimi i sporteve bëhet duke u bazuar në pikët e fituara sipas kritereve të cilat janë përcaktuar në rregullore.

Në fakt, përveç Federatës së Futbollit të Kosovës, që burimin kryesor financiar pas pranimit e ka UEFA-n, federatat e tjera të vendit mbështeten nga buxheti i shtetit.

Federatat – në bazë të pikëve të marra nga rezultatet në arenën ndërkombëtare, masivitetit dhe disa kritere të tjera – ndahen në katër kategori: A, B, C dhe D.

Një prej federatave që varet nga buxheti i shtetit është ajo e boksit. Në Federatën e Boksit të Kosovës thonë se janë në borxh rreth 13 mijë euro, ndërsa theksojnë se do t’i shlyejnë vetëm pasi t’i marrin mjetet nga kësti që MKRS-ja do ta ndajë. Zëdhënësi i FBOXK-së, Latif Demolli, insiston se nuk e di se kur do t’i marrin mjetet e këstit të parë. Boksi është një prej federatave që më së shumti merr pjesë në gara jashtë vendit.

“Është hera e parë që vjen muaji i pestë dhe ende memorandumet me federatat nuk janë nënshkruar. Kjo nuk ka ndodhur kurrë edhe pse janë të gatshme, sepse nuk ka pasur kategorizim për këtë vit. Deri tani kemi zhvilluar katër gara ndërkombëtare me huazime (borxhe), sepse garat nuk presin. Tani kemi Kampionatin Ballkanik dhe kualifikimet për Lojërat Olimpike, kampionatet botërore dhe evropiane. Nuk e di si do të funksionojmë pa para”, ka thënë Demolli për KOHËN.

Të nevojshme nënshkrimin sa më të shpejtë të memorandumit dhe ndarjen e mjeteve financiare e sheh edhe trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka. Kuka ka thënë se ka marrë premtime që gjatë kësaj jave do të ketë nënshkrim të memorandumeve.

“Ne si federatë kemi pasur takim me përgjegjësit e MKRS-së dhe na është thënë që këtë javë do të ketë lëvizje në këtë drejtim. Realisht për ne është e domosdoshme të nisë nënshkrimi i memorandumeve, madje me pagesa për federatat. Duhet të ndërmerren hapa urgjentë”, ka thënë Kuka për KOHËN.