Sport

Dardani i vendosur ta udhëheqë Pejën drejt titullit të kampionit

Descriptive Text

KB Peja ka potencial dhe ekip për ta fituar titullin e kampionit këtë edicion. Kështu të paktën insiston kapiteni Dardan Berisha.

Megjithatë, para se të flasë për titullin, Berisha thotë se fokusi i Pejës është në serinë gjysmëfinale të plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll. Ai insiston se fillimisht duhet të kalohet kjo pengesë dhe pastaj të mendohet për kundërshtarin në finale, si dhe titullin e kampionit. E në gjysmëfinale, Peja e ka përballë kampionin e pjesës së rregullt, Ponte Prizrenin. Pas dy ndeshjeve të para, të luajtura në Prizren, rezultati është i barabartë 1:1. Dy ndeshjet e ardhshme, të premten dhe të dielën, do të zhvillohen në Pejë. Skuadra që arrin tri fitore do të kualifikohet në finale dhe Berisha beson se Peja, që pati telashe në fillim të edicionit, do ta mbyllë me sukses kampanjën – me trofeun e kampionit.

“Normalisht që kemi potencial dhe ekip për ta fituar titullin e kampionit këtë edicion. Mirëpo, fillimisht duhet të kujdesemi për t’i fituar ndeshjet gjysmëfinale që i kemi përballë Ponte Prizrenit dhe janë shumë të vështira. Mund të them se në këtë gjysmëfinale po përballen dy ekipet më të mira të sezonit dhe dëshmia më e mirë për këtë është rezultati dhe loja e luajtur në dy ndeshjet e para”, u shpreh Berisha të enjten për KOHËN. “Tani i kemi dy ndeshjet e tjera që i luajmë në shtëpi dhe duhet të përpiqemi maksimalisht t’i fitojmë që të dyja për të shkuar në finale. Ky edhe është synimi”.

Në fakt, Berisha i është kthyer Pejës në serinë gjysmëfinale pasi i mungoi në atë çerekfinale kundër Sigal Prishtinës për shkak të lëndimit dhe problemeve shëndetësore. Ai mungoi edhe në turneun “Final 8” të Ligës Unike për të njëjtën arsye, derisa Peja u mposht në finale nga Golden Eagle Ylli.

Në duelin e parë ndaj Pontes, të cilin e fitoi Peja (100:92), Berisha kontribuoi me 18 pikë e gjashtë asistime, derisa në ndeshjen e dytë, që ekipi nga Prizreni e fitoi pas vazhdimit (112:11), kapiteni i Pejës ishte i jashtëzakonshëm me 43 pikë të shënuara.

“Të bëhesh kampion asnjëherë nuk është lehtë, kështu që ngjashëm është edhe këtë sezon. Mungesa ime është vërejtur te Peja në Ligën Unike, por edhe në ndeshjet që kam qenë jashtë. Por tani kjo i takon të kaluarës pasi fokusi është në plejof dhe te titulli i kampionit”, tha Berisha. “Jemi në fazën më të rëndësishme dhe mund të them se jam më mirë. Kontributi im për ekipin duhet të jetë edhe më i madh”.

Berisha këtë edicion po luan me një mesatare prej 19.5 pikëve për ndeshje, kurse në kampionat ka regjistruar vetëm 20 paraqitje. Ai ka pranuar se ende nuk i ka tejkaluar plotësisht problemet shëndetësore, por insiston se tani nuk është koha për t’u ankuar.

“Ende nuk i kam kaluar të gjitha lëndimet pasi ende kam pak probleme. Por, me to jam duke luajtur në fazën më të rëndësishme, sepse ekipi ka nevojë për mua. Nuk ka kohë tash për ankesa, por thjesht shpresoj të mos pësoj ndonjë lëndim tjetër apo përsëritje të lëndimit të vjetër për shkak se as fizikisht nuk jam 100 për qind gati. Krejt kjo ka ardhur si pasojë e lëndimeve që më detyruan të mungoj si në stërvitje ashtu edhe në shumë ndeshje”, ka pranuar Berisha.

Berisha vitin e shkuar u kthye te Peja dhe arriti ta fitojë Kupën e Kosovës, por edicioni u suspendua për shkak të përhapjes së koronavirusit. Peja ishte favorite për ta fituar titullin edhe edicionin e shkuar, dhe Berisha thotë se këtë edicion duhet ta kompensojë atë trofe për të cilin edhe ishte kthyer në klubin e vendlindjes.

“Viti i kaluar është histori dhe unë në secilin vit dëshiroj dhe mundohem të fitoj tituj. Kështu që edhe këtë vit situata është e njëjtë, pra ta fitojmë titullin. Shpresoj ta bëjmë këtë dhe të kemi fat për shkak se jemi në rrugë të mbarë”, ka thënë kapiteni i Kosovës.

Ndeshjen e tretë të serisë gjysmëfinale ndaj Ponte Prizrenit, skuadra e Pejës e luan të premten prej orës 17:00 në palestrën “Karagaçi”. Ndërsa prej orës 20:15 do të zhvillohet gjysmëfinalja tjetër, ajo ndërmjet Yllit dhe Rahovecit në palestrën “13 Qershori” në Suharekë. Pas dy ndeshjeve të para që u luajtën në Rahovec, rezultati është i barabartë 1:1 edhe në këtë seri gjysmëfinale.