Sulmuesi uruguaian Edinson Cavani ka vendosur për të ardhmen e tij. Mediumet britanike kanë njoftuar të enjten se Cavani ka njoftuar drejtuesit e Manchester Unitedit se nuk do ta shfrytëzojë opsionin e rinovimit të kontratës pasi në fund të sezonit do të largohet nga ekipi.
Sulmuesi 34-vjeçar dëshiron të kthehet në Amerikën e Jugut për ta mbyllur karrierën aktive pasi thuhet se tashmë ka arritur marrëveshje me skuadrën argjentinase Boca Juniors.
Cavani ka kontratë me Manchester Unitedin deri në fund të këtij sezoni por me opsionin e rinovimit edhe për një vit tjetër.
Ai te ekipi anglez u transferua para fillimit të këtij sezoni si lojtar i lirë dhe në edicionin e tij të parë në Angli, Cavani ka shënuar dhjetë gola në 31 ndeshje në të gjitha garat.
Cavani prej vitit 2007 bën karrierë në Evropë kurse ka luajtur për ekipet si Palermo, Napoli e Paris Saint-Germain.