Mediumi i fuqishëm gjerman, Der Spiegel ka publikuar dokumente përmes të cilave pretendon se dëshmon se si Florentino Perez ka gënjyer.
Presidenti i Real Madridit dhe Superligës Evropiane, në një intervistë të gjatë për “Chiringuito”, ka folur për çështjen se pse Bayerni, Borussia Dortmundi e PSG nuk janë në Superligë.
“Pasi PSG-në nuk e kemi ftuar ende, ndërsa me Bayernin dhe Dortmundin nuk kemi biseduar fare. Aktualisht në Superligë janë 12 themelues , ndërsa duam që të jenë saktësisht 15 klube. Nuk është e vërtetë që Superliga do të shtyhet pasi nuk na janë bashkuar Bayerni dhe PSG”, ka thënë Perez.
Ndërkohë ka reaguar Spiegel duke publikuar kontratën për themelimin e Superligës, në të cilën është oferta për tri klubet që të bëhen jo vetëm pjesë, por edhe “themelues shtesë”, pasi Superligën e kanë themeluar 12 klube.
Në ftesën për ekipin francez dhe dy ekipet gjermane, është paraqitur edhe afati se deri kur ato duhet të përgjigjen në ofertën që të bashkohen me Superligën.
PSG-së i janë ofruar 14 ditë, ndërsa Bayernit e Borussias u janë ofruar 30 ditë që të vendosin.