Sport

Kolumbianët po e udhëheqin Liqenin drejt suksesit

Descriptive Text

Tre prej pesë golave të shënuar në finalen e Kupës së Kosovës në futsall për ekipin e Liqenit mbanin firmën e lojtarëve nga Kolumbia. Jorge Steven Abril Garcia shënoi dy gola, derisa Sebastian Camilo Sanchez Nagles shënoi një tjetër për ta ndihmuar Liqenin ta fitojë Kupën e Kosovës në futsall (futboll të sallës).

Klubi me emër të veçantë, Liqeni, triumfoi me shifrat 5:3 ndaj Liburnit të Gjakovës, të mërkurën mbrëma. Fitoren e arriti vetëm pas vazhdimeve, pasi koha e rregullt përfundoi pa fitues – 3:3.

Krahas Garcias e Sanchezit, pjesë e ekipit të Liqenit është edhe kolumbiani tjetër, Yulian David Diaz Montanez.

“Ndihemi krenarë që kemi arritur pas pak muajve në ekip, ta fitojmë Kupën e Kosovës”, tha Diaz të enjten për KOHËN. “Mendoj se e kemi merituar këtë trofe pasi nuk jemi dorëzuar për asnjë moment”.

Në fakt, kolumbianët janë lojtarët e huaj të vetëm te Liqeni, klub që është themeluar vetëm në vitin 2019 dhe ka synime të mëdha në futsallin e Kosovës. Për Liqenin ky ishte trofeu i parë në nivel superior garash.

Liqeni këtë edicion po paraqitet për herë të parë në Superligën e futsallit dhe pas triumfit në Kupën e Kosovës po e synon edhe titullin. Liqeni është promovuar në elitën e futsallit si kampion i Ligës së Parë. Liqeni është klub nga Drenasi. Te ky klub insistojnë se synimet i kanë të mëdha.

Me tre lojtarët nga Kolumbia, gjithçka është e mundur. Në të vërtetë, lojtarët e huaj i janë bashkuar Liqenit vetëm më 25 shkurt dhe ende pa i bërë dy muaj si pjesë e ekipit fituan trofeun e parë. Në klub kanë pranuar se nuk kanë pritur këtë sukses qysh në edicionin e parë, por theksojnë se kolumbianët janë ata që po e bëjnë dallimin.

“Realisht nuk e kemi pritur këtë sukses të menjëhershëm. Mirëpo, duket se puna e madhe që e kemi bërë po na shpërblehet. Pas triumfit në kupë natyrisht se synojmë titullin për shkak se janë rritur apetitet”, tha Kastriot Berisha, kryetar i klubit të Liqenit. “I kemi tri përforcime të huaja, kurse pjesa tjetër e lojtarëve 95 për qind është prej Drenasit që kanë qenë lojtarë të Feniksit. Me transferimet e huaja i kemi mbuluar pikat që kemi pasur nevojë dhe këta po e bëjnë edhe diferencën në kampionat”.

Liqeni është formuar pothuajse një vit pas tërheqjes së Feniksit, klubit më të suksesshëm të futsallit në Kosovë, me shtatë tituj kampioni dhe gjashtë Kupa të Kosovës. Berisha e ka pranuar se Drenasi kishte nevojë për një ekip futsalli duke pasur parasysh traditën që e kishte në këtë sport.

“Filloi të ndihej nevoja për një ekip të futsallit në Drenas pas shuarjes së Feniksit dhe këtu erdhi ideja për themelimin e Liqenit. Emri ka ardhur nga një liqen që e kemi në fshatin Vasilevë, ku edhe është themeluar klubi, pasi kemi dashur një emër më të veçantë”, ka thënë Berisha. “Fillimi ka qenë i vështirë, por nuk jemi dorëzuar dhe brenda dy vjetësh e fituam Kupën e Kosovës pas titullit të kampionit në Ligën e Parë. Ky është edicioni i parë në Superligë, të cilin shpresojmë ta mbyllim me titull”.

Ideja e ekipit të Liqenit është që edhe të nxjerrë talente të futsallit pasi baza e ekipit përbëhet prej lojtarëve të Drenasit. Te Liqeni po synojnë që të shkojnë hapave të Feniksit, sa u përket sukseseve. Feniksi krahas suksesit vendor dy herë u pati paraqitur edhe në Ligën e Kampionëve. E për të mbajtur këtë vazhdimësi, në ekip po mendojnë që t’i mbajnë kolumbianët edhe përtej këtij edicioni.

“Ne mendojmë t’i mbajmë ata edhe për disa vjet pasi nuk i kemi marrë vetëm për këtë sezon. Janë lojtarë që po e bëjnë diferencën dhe mund të na ndihmojnë shumë në arritjen e sukseseve të tjera. Jemi të kënaqur me ta dhe pse mos t’i mbajmë këtu edhe më gjatë”, tha Berisha duke shtuar se kolumbianët banojnë në Drenas dhe komunikimin e bëjnë në gjuhën angleze.

Të tre lojtarët janë pjesë e Përfaqësueses së Kolumbisë në futsall. Madje, Steven Abril është kapiten i Kolumbisë. Për dallim prej Sanchezit, i cili për herë të parë po luan jashtë Kolumbisë, Abril dhe Diaz kanë bërë karrierë edhe në vendet e tjera të Evropës. Sanchezi ka luajtur nëpër klubet më të njohura të Kolumbisë përpara se t’i bashkohet Liqenit, ndërsa Abrili para se të transferohej në Kosovë, ka luajtur në Francë. Në Francë, karrierë ka bërë edhe Diazi që ka luajtur edhe në Portugali. Diaz po ndihet mirë edhe në Kosovë. Ai thotë se është adaptuar lehtë në mjedisin e ri pasi në ekip i ka edhe dy bashkëlojtarët e tjerë të Përfaqësueses së Kolumbisë.

“Jemi ambientuar mirë pasi jemi tre kolumbianë, por edhe bashkëlojtarët e tjerë na kanë pritur shumë mirë. Shpresoj ta ndihmojmë ekipin ta fitojë edhe titullin e kampionit pas triumfit në Kupë. Do të ishte një sukses shumë i madh”, ka thënë Diazi. “Kampionati është shumë i fortë pasi edhe ekipet e tjera kanë lojtarë të huaj. Në përgjithësi po zhvillohet një garë e fortë. Mendoj se e kemi merituar triumfin në Kupë pasi ka ardhur si rezultat i angazhimit, punës dhe përpjekjeve të ekipit që i ka bërë. Jam i lumtur për këtë sukses dhe tani duhet të vazhdojmë përpara”.

Diazi ka thënë se nuk ka hezituar aspak kur i ka ardhur oferta për të luajtur në Kosovë, përkrah dy kolumbianëve të tjerë. Dhe ai nuk përjashton mundësinë të mbetet pjesë e ekipit edhe për periudhë më të gjatë.

“Pas suksesit në kupë, do të vazhdojmë të luftojmë edhe për titullin e kampionit”, tha Diazi që shtoi se ka pasur rastin të luajë për Liburnin në Ligën e Kampionëve. “Na kanë pritur të gjithë mirë këtu dhe po ndihemi mirë në Kosovë”.

Kur kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund të pjesës së rregullt në Superligën e futsallit, Liqeni zë vendin e katërt në tabelë dhe synime për t’u inkuadruar në garat e plejofit.