Sport

Wang Shuang, nga kulmi në Wuhan deri te shpëtimtarja e futbollit në Kinë

Wang Shuang ishte e mbyllur dhe godiste topin në çati gjatë karantinimit në epiqendrën e koronavirusit në Wuhan, kur Përfaqësuesja e Kinës (femrat) në futboll i filloi kualifikimet për Lojërat Olimpike para 14 muajve. Por mesfushorja u vlerësua si shpëtimtare e futbollit kinez pasi shënoi golin e fitores në kohën shtesë për t’ia siguruar Kinës kualifikimin në Lojërat Olimpike, që mbahen këtë verë në Tokio.

Wangu shënoi golin në fitoren me rezultatin e përgjithshëm kundër Koresë së Jugut 4:3. Në fakt, Wangu shënoi edhe nga penalltia në ndeshjen e parë për ta ngritur reputacionin e saj si fytyra e futbollit të femrave në Kinë. Trajneri i ekipit kundërshtar, e quajti Wangun si “lojtare të klasit botëror”. Më shumë se kaq, ishte një nxitje e nevojshme shumë në një kohë kur reputacioni i futbollit i Kinës ka marrë një goditje të madhe me rënien financiare të kampionit të Superligës së Kinës në konkurrencën e meshkujve, Jiangsu FC.

“Faleminderit zonjusha Wang Shuang! Ju jo vetëm që ndihmuat ekipin kinez të femrave për të marrë një biletë olimpike, por shpëtuat futbollin aktualisht të ngadaltë kinez!”, shkroi gazetari i njohur Ma Dexing.

Wangu është ende vetëm 26 vjeçe, por është një kapitull tjetër në një jetë plot ngjarje që u përmbys nga divorci i prindërve të saj, kur ajo ishte pesëvjeçare dhe e pa atë të konsumuar nga vetmia ku nëpërmjet futbollit si fëmijë përpiqej ta përballonte situatën në familjen e saj. Qëkur u bë profesioniste dhe më pas bëri debutimin e saj në Kinë në vitin 2013, Wangu ka pasur karrierë të suksesshme jashtë vendit, së pari në Korenë e Jugut dhe më pas te Paris Saint-Germaini, ekip për të cilin luajti në sezonin 2018/2019.

Pasi shënoi në debutimin e saj për PSG-në, gazeta franceze “Le Parisien”, shkroi: “Wang Shuang tashmë ka pushtuar Parisin”. Ajo shënoi tetë gola dhe bëri shtatë asistime në 27 ndeshje për ekipin francez, por ishte malli për vendlindjen që e tërhoqi përsëri në Wuhan në vitin 2019. Wangu e gjeti veten të bllokuar atje kur u shfaq koronavirusi në qytet dhe u vendos nën bllokim - i pari në botë - në janar të vitit 2020. Kjo do të thoshte që Kina duhej të kryente pjesën më të madhe të fushatës së tyre kualifikuese për Lojërat Olimpike pa lojtaren kryesore, e cila ndërkohë u filmua në krye të një ndërtese duke gjuajtur me top kah muri për ta mbajtur formën.

“Kam menduar shumë gjatë asaj kohe”, tha Wangu për ato 76 ditët e gjata të mbylljes në Wuhan.

Kur liga vendase filloi me vonesë në një “flluskë” të sigurt për të evituar infektimin me virus, Wangu ndihmoi ekipin e saj lokal të fitonte titullin e kampionit.

“Titulli i përket qytetit të Wuhanit”, tha ajo. “Nuk ka qenë e lehtë për askënd nga ne. Mbyllja për 76 ditë ka qenë shumë e rëndë dhe ende e kujtoj atë kohë të vështirë”.

Si një vajzë e vogël, futbolli ishte një arratisje për Wangun. Pasi prindërit e saj u divorcuan dhe u larguan nga Wuhani, Wangu në moshë të re u dërgua të jetonte me një teze dhe xhaxha, të cilët ajo i konsideron tani si nënën dhe babanë e saj.

“Unë e doja futbollin, sepse më lejoi të shprehem dhe të tërheq vëmendjen. Dhe në atë kohë, pas divorcit të prindërve të mi, më duhej futbolli që më ndihmoi shumë”, kujton Wangu.

Si një lojtare e re me premtime të dukshme, Wangu u regjistrua në një shkollë kombëtare trajnimi në Pekin, më shumë se një mijë kilometra larg nga Wuhani. Një herë, kur ishte vetëm 12 vjeçe, ajo udhëtoi për në kryeqytetin kinez e vetme në një tren tërë kohën. Ajo qau tërë natën nga frika. E Wangu ishte edhe kur përfundoi ndeshja me Korenë e Jugut, por këtë herë nga gëzimi. Pas ndeshjes, përzgjedhësi i Koresë së Jugut, Colin Bell, e përshkroi Wangun si lojtare “të klasit botëror” dhe “shumë, shumë të rrezikshme”.

“Wangu është një futbolliste e jashtëzakonshme. Ajo i shfrytëzon mundësitë e tilla dhe është më e merituara për kualifikimin e Kinës në Lojërat Olimpike”, është shprehur anglezi Bell.