Lista e akuzave ndaj Lance Armstrongut po rritet gjithnjë e më shumë. Së fundi është vënë edhe njëherë në dyshim serioz integriteti i tij sportiv. Ish-çiklisti po akuzohet se përdori një motor të improvizuar në biçikletën e tij gjatë garës më të rëndësishme të çiklizmit, “Tour de France”.
Ky mashtrim për të cilin po akuzohet Armstrong, ndryshe njihet si “doping teknologjik” në botën e çiklizmit. Duke pasur parasysh se Armstrong tashmë ka një histori të errët me përdorimin e dopingut për çka edhe është dënuar, kjo akuzë ka rënduar edhe më shumë reputacionin e amerikanit. Në fakt, Armstrongut i janë marrë të gjithë titujt e fituar në “Tour de France” për shkak se kishte pranuar përdorimin e dopingut gjatë karrierës së jashtëzakonshme në këtë sport. Ai kishte përdorur substanca të ndaluara mes viteve 1998 dhe 2005, përpara se në vitin 2012 të pranonte akuzat dhe t’i merreshin të gjithë shtatë titujt e fituar në “Tour de France”.
Akuza e fundit në lidhje me “dopingun teknologjik” ka ardhur nga Jean-Pierre Verdy, ish-kreu i Agjencisë së Francës për Anti-Doping.
“Lance Armstrongu është mashtruesi më i madh. Ai ka pasur bashkëpunim në çdo nivel të garës, pasi ka marrë trajtim special”, ka insistuar Verdy. “Unë gjithashtu besoj se ai kishte një motor në biçikletën e tij, dhe ende kam në kokën time skenën kur në shtegun e malit i lë të gjithë prapa. Madje as specialistët nuk mund të besonin se si ishte e mundur një performancë e tillë nga Armstrongu”.
Për t’i forcuar akuzat e Verdyt, është publikuar edhe në xhirim në rrjetin social “Twitter” ku shihet se si Armstrongu gjatë garës e prek ulësen e biçikletës, veprim që supozohet se ka aktivizuar motorin e inkorporuar. Këtë xhirim e ka postuar gazetari sportiv që përcjell garat e çiklizmit, Antoine Vayer për të përkrahur akuzat e Verdyt ndaj amerikanit Armstrong.
Motorët e biçikletave janë në shitje prej vitit 1998 por që përdorimi i tyre në garat e nivelit elitar të çiklizmit është i ndaluar rreptësisht. Motorët peshojnë rreth 800 gramë dhe kanë fuqi prej 500-vatësh, mjaftueshëm për t’i lënë garuesit e tjerë prapa. Motori ka një cilindër dhe në të shumtën e rasteve gjendet i fshehur në një nga tubat e biçikletës. Mirëpo, ka raste kur ai fshihet edhe në shishen e ujit të garuesit. Është i lidhur me rrotat përmes telave dhe pasi të aktivizohet ai fillon t’i furnizojë pedalet me fuqi. Motori mund të aktivizohet duke e prekur ulësen prapa por çiklisti vazhdimisht duhet të pedalojë, pasi motori vetëm ashtu i jep fuqinë e duhur për të avancuar.
“Jam më se i bindur se dominimi i plotë i Armstrongut ndaj garuesve të tjerë ka qenë i mundur vetëm falë motorit të fshehur në biçikletën e tij”, ka insistuar Verdy.
Kjo nuk është hera e parë që Armstrong akuzohet për një veprim të tillë. Një akuzë për përdorimin e motorit ndaj tij e kishte hedhur edhe ish-çiklisti Thomas Voeckler në vitin 2018. Mirëpo i menjëhershëm kishte qenë reagimi i Armstrongut, i cili kategorikisht kishte mohuar një gjë të tillë.
“Natyrisht që nuk kam përdorur motor”, ishte përgjigjja e shkurtër e Armstrongut, i cili ende nuk ka reaguar ndaj akuzave të reja.
Disa ditë më parë, familja e Armstrongut pushtoi ballinat në SHBA ,për shkak se i biri i tij, Luke Armstrong po akuzohet se para tre vjetësh në një festë e ka abuzuar seksualisht një 16-vjeçare.