“E pabesueshme”, është fjala që një nga ish-trajnerët e Jamal Musialas e përdor vazhdimisht për të përshkruar 18-vjeçarin i cili po zhvillohet me shpejtësi në një nga futbollistët më të talentuar të Evropës.
Mesfushori me tipare sulmuese aktualisht po lulëzon në sezonin e tij të parë, duke shënuar pesë gola në 29 paraqitje për Bayern Munichun dhe duke bërë debutimin e tij për Përfaqësuesen A të Gjermanisë në muajin mars. Me vetëm 17 vjet ai u bë golashënuesi më i ri i Bayernit ndonjëherë në Ligën e Kampionëve, në fillim të këtij sezoni, dhe duket shumë i qetë duke luajtur së bashku me lojtarët e klasit botëror si Robert Lewandowski dhe Thomas Mueller. Të shtunën e shkuar, Musiala shënoi gol të mrekullueshëm në barazimin e ekipit të tij, 1:1, me Union Berlinin, për të konfirmuar efikasitetin e lartë. Me gjithë futjen në librat e rekordeve që nga bashkimi me Bayernin në vitin 2019, rritja e madhe e Musialas ndodhi në Angli.
Pasi u largua nga Gjermania si i ri, Musiala u zhvillua përmes Akademisë së Chelseat ndërsa ndiqte hapat e futbollit në “Whitgift” - një shkollë e pavarur në Londrën e Jugut që ka një histori për të ndihmuar zhvillimin e lojtarëve që janë bërë profesionistë të shquar, veçanërisht ata si Callum Hudson- Odoi dhe Victor Moses.
“Ai ishte i veçantë dhe dallonte prej të tjerëve. Ne mund ta shihnim zhvillimin e tij të shpejtë”, u shpreh Andrew Martin, drejtori i futbollit në “Whitgift”. “Unë mendoj se që nga fillimi Jamali ishte i shquar për madhështi. Jamali sapo ra në sy filloi të shkëlqej. Shënimin e golave e ka specialitet”.
Musiala ka qëndruar në kontakt me Martinin dhe supertalenti i Bayernit ende e quan ish-mësuesin e tij “Sir”.
“Ai është jashtëzakonisht i respektueshëm për ata që e rrethojnë, por ai ka një vendosmëri të çeliktë dhe besim brenda vetes, gjë që nuk është arrogancë. Unë mendoj se kjo është ndoshta arsyeja pse ai po bën kaq mirë në këtë moment. Ai është padyshim i respektueshëm për lojtarët e klasit botëror me të cilët po luan te Bayerni pasi po mëson edhe prej tyre”, ka thënë Martin. “Kur ai del në fushë, nuk shndërrohet në një përbindësh të tërbuar, por ai kalon nga një djalosh i qetë, i respektueshëm në një atlet të klasit botëror”.
Martin ende e mban në mend herën e parë kur pa Musialan duke luajtur, kur talenti ishte në moshën dhjetëvjeçare. Fatkeqësisht për drejtorin e futbollit të “Whitgift”, ishte për një ekip kundërshtar.
“Unë mendoj se u shkatërruam absolutisht 8:4 nga kjo shkollë që erdhi nga askund, duke mos u dëgjuar në të vërtetë. Jamal luajti atë ditë dhe mendoj se ai shënoi pesë nga tetë golat. Kështu që e kujtoj atë. Ai ishte një djalosh i vogël, por menjëherë sapo filloi loja, ai ishte i pandalshëm. Absolutisht e pabesueshme”, tha Martin.
Shtatë gola në një ndeshje
Për më pak se një vit, Martini pa që Musiala, i cili ishte tashmë në librat e Chelseat, kishte aplikuar për t'u bashkuar me shkollën e tij dhe ishte i kënaqur kur e pa atë duke mbajtur një çantë “Whitgift”.
Pa pasur ndonjë lidhje zyrtare, shkolla ka krijuar një reputacion dhe marrëdhënie me shumë klube profesionale lokale - 27 nxënës aktualë janë pjesë e akademive të futbollit përreth Londrës. Përveç sigurimit të rinjve me trajnim elitar, Martin dhe ekipi i tij gjithashtu veprojnë si ndërlidhës për të ndihmuar ata djem të ekuilibrojnë kohën e tyre midis mësimeve dhe detyrave të akademisë së futbollit. Ai mori përgjegjësinë për menaxhimin e orarit të Musialas gjatë kohës së tij në “Whitgift” dhe sigurisht korri sukseset.
Sipas Martinit, Musiala vazhdoi të shënonte. Ai arriti shifrën e 122 golave në 36 ndeshje gjatë tri viteve të tij në “Whitgift”. Veçanërisht dy ndeshje spikasin edhe sot e kësaj dite. E para ishte si mysafir, që përfshinte orë të tëra duke udhëtuar në një minibus për të luajtur ndaj një ekipi rival. Ndeshja u ndërpre menjëherë në pjesën e dytë me Whitgift që ishte në epërsi 10:0. Musiala kishte shënuar shtatë gola dhe sipas Martinit, praktikisht e kishte fituar ndeshjen me tri prekjet e para të topit.
Ndërsa aftësia e tij sulmuese ishte e qartë për t'u parë, pjekuria dhe vendosmëria e tij gjithashtu ranë në sy. Martin kujton një ndeshje tjetër kur Musiala u godit për shtylle nga kundërshtari. Pas një fjale inkurajuese, Musiala vazhdoi dhe fitoi ndeshjen me dy gola.
“Kjo sapo e përmblodhi atë. Qëndrimi i tij ishte i pabesueshëm sikurse shtytja dhe dëshira. Ai do të ishte i mërzitur nëse do të largohej dhe nuk do të kishte shënuar në shanset që do t’i kishte. Standardet e tij ishin kaq të larta. Ishte e pabesueshme”, kujton Martin.
Krenaria e madhe
“Whitgift” është krenar për historitë e suksesit. Kjo shkollë i plotëson të gjitha nevojat. Aktualisht drejton 21 ekipe të niveleve të ndryshme me mbi 400 djem që luajnë. Por, pa marrë parasysh sa i mirë është një lojtar, puna akademike është gjithmonë e para. Kjo sepse Martin, i cili luajti vetë profesionalisht, është plotësisht i vetëdijshëm se vetëm një përqindje e vogël e lojtarëve do të bëjnë një karrierë në futboll.
“Nuk ka asgjë të keqe me ata djem që ëndërrojnë dhe duan të jenë Callumi dhe Jamali i ardhshëm dhe t'i përdorin ata si shembull. Kjo po ndihmon për t'i zhvilluar dhe përmirësuar ata. Unë mendoj se kjo është bukuria e shkollës sonë, që ne mund të ndihmojmë djemtë të jenë Callumi dhe Jamali i radhës”, tha Martin. “Gjithashtu mund të ndihmojmë dhe përmirësojmë ata djem që kanë aspirata për të qenë të tillë, por fatkeqësisht kjo do t’iu mbetet vetëm një ëndërr disave”.
Martin mbetet hezitues për të përdorur lojtarë të tillë si Musiala për të motivuar të rinjtë aktual, por mbetet në vetvete krenar që ka ndihmuar ish-nxënësin e tij të arrijë majën.
“Të shohësh ngritjen e tij në gjashtë vjet është krenari. Mendoj se është krenari e madh. Do të tingëllojë i butë, por do të ishte sikur të shihja djalin tim që po vazhdonte dhe të përfaqësonte Bayern Mynihun dhe Gjermaninë. Në të vërtetë po”.
Trofetë tani janë në rendin e ditës për Musialan. Bayerni është shtatë pikë larg dhe kërkon edhe një titull tjetër në Bundesligë, por përballet me një provë më të fortë në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve. Musiala ishte një zëvendësues i papërdorur në humbjen e skuadrës së tij kundër Paris Saint-Germainit 3:2 të mërkurën e shkuar, por ai mund të luajë në ndeshjen e kthimit pas mungesave të shumta të bavarezëve. \ CNN