Sport

Te Werderi shpresojnë se goli i parë do të inspirojë “raketën” Rashica

Descriptive Text

Bremen, 11 prill – Ndeshja ishte thuajse e mbyllur, kur një rast i mirë u paraqit për Werderin. Derisa RB Leipzigu po udhëhiqte 3:0, Kevin Kampl i kësaj skuadre luajti me dorë në zonë. Arbitri Florian Badstuebner akordoi penallti, ndërsa trajneri i Werderit, Florian Kohfeld bëri të qartë se kush duhet të realizojë penalltinë.

“Raketë, ti”, u dëgjua nga të gjithë të thotë Kohfeldt.

Te Werderi, “raketë” i drejtohen Milot Rashicës, reprezentuesit të Kosovës, shkruan “kicker.de” të dielën.

Kohfeldt ishte i vendosur ta ndihmonte lojtarin e tij dhe pa rastin te penalltia. Rashica nuk kishte realizuar gol që nga 27 qershori i vitit të kaluar. Kalimi i kësaj shterpësie është i rëndësishëm për Rashicën, por njëjtë edhe për Werderin.

“Po”, u përgjigj trajneri Kohfeldt, kur pas ndeshjes u pyet nëse qëllimi i tij ishte që penalltinë t’ia jepte Rashicës.

Te Werderi janë tre lojtarë që shënojnë penalltitë. Niclas Fuellkrugg nuk ishte në skuadër të shtunën në disfatën 4:1 nga RB Leipzig. Davie Selke ishte në fushë e po ashtu Rashica, që u aktivizua në fillim të pjesës së dytë.

“Në atë moment kam pasur ndjenjën se gjëja më e rëndësishme për ‘raketën’ është të shënojë. Kam shpresuar për këtë”, ka treguar Kohfeldt.

Te Werderi shpresojnë që gola tjerë të shënohen në vazhdim të edicionit në Bundesligë nga Rashica. Goli i parë, ndonëse vetëm nga pika e bardhë dhe në një humbje të thellë, shpresojnë të jetë pikë kthese.

“Ia vlen të provojmë”, ka thënë Kohfeldt.

Se Rashica është golashënues i spikatur, e ka dëshmuar në dy edicionet e kaluar. Në një edicion kishte shënuar tetë gola e në një tjetër nëntë. Por këtë edicion ka pasur telashe të gjejë rrugën drejt portës.

Te Werderi e vlerësojnë shumë të rëndësishme që 24-vjeçari të realizoi gola. Rashica ende është kandidat për t’u shitur në verë. Klubit i duhen para. Ai ka pesë asistime, por disa gola deri në fund do të bënin që interesimi të rritej më shumë. Edhe vlera e Rashicës në treg po ashtu.

Trajneri Kohfeldt ka lavdëruar në javët e fundit Rashicën. Ka vlerësuar punën e tij në repartin defansiv, krijimin e mundësive. Por golat mungonin.

“Shpresoj që ky gol do t’i japë një shtytje Rashicës”, ka theksuar trajneri i Werder Bremenit.