Sport

Duro: Të papriturat na bëjnë më të fortë

I dëshpëruar ka qenë pas ndeshjes tekniku i Feronikelit, Klodian Duro.

Trajneri i skuadrës nga Drenasi ka thënë se të udhëhequrit e tij po luajnë mirë, ndërsa Gjilanin e ka vlerësuar si njërin prej ekipeve më të mira në ligë.

“Sigurisht që kemi bërë lojë të mirë, pavarësisht rezultatit. Në futboll gjithçka ndodh. U rikthyem në lojë mirë, përballë një Gjilani që është një nga ekipet më të forta në ligë. Por që të shkonim te goli, na mungoi fati, vendosmëria dhe merita ka edhe portieri Koliqi. Asnjë ekip nuk është në objektivat e veta, aq më tepër ne. Jemi munduar të krijojmë një grup me harmoni. Me ulje dhe ngritje jemi një grup shumë i fortë, siç e patë në fushën e lojës. Asgjë nuk ka mbaruar për asnjë ekip. Kemi një pozitë pak më komode me pikë, por jo komode për ne sepse ky nuk është vendi i Feronikelit. Në këtë edicion kemi bërë maksimumin që për një kohë të shkurtër ta kapnim Evropën. Futbolli ka të papritura. Të papriturat na bëjnë të fortë dhe duhet të shikojmë përpara”, theksoi Duro.

Feronikeli është në vendin e gjashtë dhe ka vetëm katër pikë më shumë se Drenica që është në vendin e tetë, në zonën e barazhit. Drenica e ka një ndeshje më pak të zhvilluar dhe do të luajë me Prishtinën të dielën.