Real Madrid duket se e ka bërë zakon të kursejë më të mirën për momentet më të mëdha të sezonit dhe triumfoi 3:1 ndaj Liverpoolit në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve të martën mbrëma, sugjeroi që madrilenët janë të gatshëm ta fitojnë përsëri këtë trofe.
Reali riktheu vitet me një paraqitje që kujtonte ditët më të pamëshirshme nën drejtimin e trajnerit Zinedine Zidane, kur kaluan pa telashe nëpër fazat e eliminimit për të triumfuar tri herë rresht në Ligën e Kampionëve apo regjistruan dhjetë fitore rresht në fund të sezonit të kaluar për ta fituar titullin e kampionit në La Liga.
Brenda tetë ditëve, Reali mund ta definojë këtë edicion pasi do të përballet edhe një herë me Liverpoolin javën e ardhshme, kurse të shtunën do të luajë ndeshjen “El Clasico” kundër Barcelonës.
Nëse i fiton edhe këto dy ndeshje, atëherë gjasat janë të mëdha që Reali këtë edicion ta mbyllë me dy trofe, ndonëse pati një start të vështirë. Dyshja Vinicius Junior dhe Toni Kroos bënë që Reali të bëjë një hap drejt kualifikimit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Dy gola për Realin i shënoi Vinicius derisa një tjetër e realizoi Marco Asensio, por fjalën kryesore në mesfushë e pati Kroos. Për Liverpoolin golin e nderit e realizoi Mohamed Salah në fillim të pjesëlojës së parë, por që mund të mos mjaftojnë për ta kthyer rezultatin në ndeshjen e kthimit. Paraqitja e Realit në këtë ndeshje ishte fantastike, përkundër mungesës së Sergio Ramosit e Raphael Varanes në qendër të mbrojtjes. Fitorja ndaj Liverpoolit ka kthyer shpresat te Reali se mund të ketë një sezon të suksesshëm.
"Thjesht, kjo skuadër ka karakter. Me gjithë kohërat e vështira që i kishim, unë e di se lojtarët kanë karakter për t’i kthyer gjërat dhe besoj në këtë ekip”, pranoi trajneri i Realit, Zinedine Zidane.
Paraqitja e Realit ndaj Liverpoolit është lavdëruar shumë në Spanjë të mërkurën. Madje mediumet spanjolle kanë paralajmëruar Barcelonën në prag të “El Clasicos”. Reali është i treti në tabelë me 63 pikë, dy më pak se Barcelona që është e dyta, kurse Atletico Madridi është lider në La Liga me 66 pikë të mbledhura pas 29 ndeshjeve të luajtura.
“Madridi fshiu Liverpoolin në pjesën e parë, ‘Reds’ ishin të hutuar”, shkroi gazeta spanjolle “AS”.
Ndërkohë Jorge Valdano në një deklaratë për televizionin spanjoll, tha se “Reali pati një paraqitje fantastike”.
Në Spanjë shumë veta menduan se Barcelona dhe Atletico Madridi do të gëzonin një avantazh në pjesën e fundit të sezonit pas eliminimit të hershëm në Ligën e Kampionëve. Madje insistonin se Barça e Atletico mund të fokusoheshin plotësisht në garën për titullin e kampionit në La Liga, që tashmë është shndërruar në një betejë të fortë.
Barcelona ende mund të ndiejë përfitimet e një pushimi shtesë në “El Clasico” këtë fundjavë. Triumfi i Barcelonës ndaj Real Valladolidit të hënën mbrëma me rezultatin e ngushtë ishte shumë më pak kërkuese sesa ajo bindëse e Real Madridit një natë më vonë kundër Liverpoolit. E megjithatë mund të ndodhë që Real Madridi të përfitojë nga ky vrull që ka pasur kohët e fundit. Orari i ngjeshur me ndeshje kulmore duket se ka siguruar që futbollistët e Realit të kenë fokusin vetëm te trofetë dhe mos të mendojnë fare për lodhjen.
“Ata janë lojtarë që kanë fituar shumë trofe, por akoma duan më shumë dhe kjo është dëshmia më e mirë për karakterin që e kanë ata. Për mua nuk ka rëndësi fillimi i sezonit, por përfundimi i tij dhe unë jam optimist. Këtë e kam thënë gjithmonë, pavarësisht se ekipi im është nënvlerësuar vazhdimisht”, tha Zidane.
Kroos, 31-vjeçar, me 22 trofe të fituar në nivel klubesh dhe një kupë bote, ishte i papërmbajtshëm kundër Liverpoolit. Kroos e kontrolloi komplet lojën e Real Madridit dhe asistoi në golin e epërsisë.
“Toni është i pabesueshëm, një legjendë e klubit. Sa herë që ai del në fushë, ai del me klasë. Askush nuk mund të luajë si ai”, pranoi Vinicius.
Lëvdata për Kroosin thuri edhe gazeta spanjolle “Marca”: “Ishte ndoshta një nga paraqitjet e tij më të mira në sezonin e tij më të mirë për një lojtar që është ndoshta mesfushori më i mirë në botë”.
Kroos ishte arkitekt këtë herë, por shkëlqimi i tij ishte vetëm shembulli i fundit se garda e vjetër e Zidanet ka marrë frerët në dorë në momentin më të duhur të sezonit. Luka Modriq ka qenë i përsosur që nga fundi i vitit, Casemiro i palëkundur dhe Karim Benzema, megjithëse i qetë kundër Liverpoolit mund të jetë pa dyshim lojtari i sezonit në La Liga.
Nuk mund të jetë rastësi që veteranët e Real Madridit janë zgjuar vetë ndërsa klubi mendon se kë të largojë dhe kë ta mbajë pasi drejtuesit e klubit po mendojnë për gjeneratën tjetër. Ramos dhe Modriq kanë kontrata deri në fund të këtij edicioni, kurse Benzema ka kontratë deri vitin e ardhshëm. Në fakt, ky rikthim i formës së Real Madridit në fund të sezonit është kthim në vitet e mëparshme kur madrilenët e nisnin edicionin me telashe, por në fund e mbyllnin me trofe. Këtë e pranon edhe trajneri Zidane.
“Ata gjithmonë duan më shumë”, tha Zidane. “Kjo skuadër nuk ka kufij”.