Sport

Konfirmohet ndikimi i madh i futbollistëve shqiptarë te Zvicra

Descriptive Text

Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka nuk u shënuan në listën e realizatorëve, por edhe një herë dëshmuan rëndësinë e madhe që kanë për përfaqësuesen A të Zvicrës në futboll. Zvicra të enjten mbrëma e mposhti 3:1 Bullgarinë në Sofje, për të nisur me sukses eliminatoret për botërorin “Katari 2022”. Dy yj më të mëdhenj shqiptarë të futbollit, Shaqiri e Xhaka, startuan te helvetikët.

Shaqiri përgatiti dy gola, ndërsa Xhaka udhëhoqi mesfushën e Zvicrës. Ai udhëhoqi skuadrën në fushë edhe në cilësinë e kapitenit. Zvicra nisi furishëm ndeshjen. Realizoi për 1:0 qe në minutën e shtatë. Në minutën e dhjetë Shaqiri asistoi për Haris Seferoviqin, që realizoi për 2:0. Ndërkohë në minutën e 13-të, Xherdan Shaqiri e kreu thuajse tërë punën, por goli iu numërua Stevan Zuberit. Shaqiri goditi nga “këndi i vdekur”, thuajse nga vija fundore. Dhe kur topi, që befasoi portierin, po kalonte vijën e portës, u shty në rrjetë nga Zuber. Shaqiri festoi për gol të shënuar, por iu numërua vetëm asistim. Në minutën e 47-të rezultatin përfundimtar, 3:1 në të mirë të Zvicrës, e vendosi Kiril Despodov.

Shaqiri luajti deri në minutën e 75-të për Zvicrën dhe u pushua për ndeshjen e ardhshme. Xhaka kompletoi ndeshjen kurse fare në fund u aktivizua edhe Admir Mehmedi. “E kemi nisur ndeshjen në mënyrën që kemi dëshiruar. Ne kemi dashur të shënojmë herët dhe ia dolëm. Pjesa e parë ishte shumë emirë, por duhet të mësojmë nga paraqitja që kishim në pjesën e dytë”, ka theksuar Granit Xhaka për SRF. “Kemi dashur të shënojmë golin e katërt, por Bullgaria ka bërë presion lart dhe është mbyllur më shpejt se në pjesën e parë. Gjëja më e rëndësishme është që fituam ndeshjen dhe morëm tri pikët në fillim të kualifikimeve. Është fillim i mirë i kampanjës. Nëse ia dalim të mposhtim Lituaninë do të kemi gjashtë pikë, që do të jetë bilanc shumë i mirë në këtë fazë të kualifikimeve”, ka shtuar Xhaka. Zvicra ka pasur startin më të mirë të një ndeshjeje kualifikuese në 116vjet histori, duke shënuar tre gola për 13 minuta.

Mediat zvicerane kanë shkruar për shkëlqimin e Shaqirit dhe kanë thënë se goli i tretë ishte meritë e tij. Por ndikimi i shqiptarëve shtrihet edhe te përfaqësuesja U21 e Zvicrës. Shpresat helvetike po paraqiten në kampionat evropian, ndërsa kishin start impresiv të enjten. Zvicra fitoi 1:0 ndaj Anglisë, në ndeshjen e luajtur në Koper të Sllovenisë. Te Zvicra startuan tre shqiptarë: Bastien Toma, Toni Domgjoni e Andi Zeqiri. Toma u zëvendësua në minutën e 85-të, ndërsa dy të tjerët kompletuan ndeshjen. Ndërkohë Kastriot Imeri u aktivizua në minutën e 66-të dhënë minutën e 78-të asistoi për Dan Ndoye që realizoi golin e vetëm. Futbollistët kosovarë ishin prej më të mirëve te Zvicra. Andi Zeqiri ka pasur disa raste të mira, njëjtë si Imeri. Ndërkohë një goditje e Tomës përfundoi në shtyllë. Me fitoren ndaj Anglisë, Zvicra ka paralajmëruar se ka synime të mëdha në Evropianin që mbahet në dy faza. Dhe kosovarët e saj po shndërrohen në yj të mëdhenj.