Sport

Krasniqi: I bindur që mund të kontribuoj në zhvillimin e sportit

Krasniqi: I bindur që mund të kontribuoj në zhvillimin e sportit
 

Kryetari i Federatës së Karatesë të Kosovës (FKK), Ismet Krasniqi, është i bindur që mund të kontribuojë në zhvillimin e sportit të Kosovës. Krasniqi, që bazën deleguese e ka nga Federata Atletike e Kosovës (FAK), për KOHËN thotë se ka përkrahje të mjaftueshme për t’i mposhtur dy kundërkandidatët e tjerë dhe thekson se përfundimisht ka ardhur koha për ndryshime në KOK.

“Unë kam marrë përgjegjësinë për të ngritur zërin tim dhe për të sjellë idetë e mia të zhvillimit përpara, pasi jam i bindur që mund të kontribuoj në zhvillimin e sportit në Kosovë duke u bërë presidenti i ardhshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës. Fokusi im kryesor ka qenë dhe do të jetë gjithmonë përfshirja e njerëzve profesionistë dhe të përkushtuar në punën e KOK-ut dhe lëvizjes sportive, si dhe Lëvizjes Olimpike. Unë premtoj se politikat dhe stafi im menaxhues do të jenë gjithëpërfshirëse, dhe unë gjithmonë do t’ua jap shansin të gjithëve, të cilët dëshirojnë të kontribuojnë në zhvillimin e Komitetit Olimpik. Unë do të bëj çmos të promovoj vlerat reale të demokracisë dhe do të shërbej për nevojat e komunitetit sportiv dhe për nevojat e Komitetit Olimpik. Shpresoj se komuniteti i sportit do te vlerësojë programin tim pozitivisht gjatë fushatës zgjedhore dhe do të më përkrahë”, ka thënë Krasniqi. Më poshtë mund t’i gjeni pikat kryesore të programit të Ismet Krasniqit.