1 perditesime
15:11

Arijanet Muriq u paraqit i dehur në seancën e fitnesit

Arijanet Muriq është përjashtuar nga kampi i përfaqësueses së Kosovës, pak orë para stërvitjes së parë “Dardanëve” dhe një ditë para ndeshjes miqësore kundër Lituanisë. Në njoftimin e FFK-së është thënë se Muriq është përjashtuar nga kampi për arsye disiplinor, duke mos dhënë detaje shtesë. Mirëpo, KOHA nga burimet e saj, ka mësuar arsyen e vërtetë që çoi në përjashtimin e portierit të parë të Kosovës.

23-vjeçari është paraqitur i dehur në seancën stërvitore të fitnesit të hënën mbrëma në hotelin “Emerald”, ku është e vendosur përfaqësuesja.

Muriq nuk ka mundur të qëndrojë në këmbë dhe është rrëzuar para bashkëlojtarëve.

Mësohet se ai i ka fyer bashkëlojtarët që kanë qenë të pranishëm në palestër.

Ky veprim i portierit të Kosovës e ka bërë shumë nervoz përzgjedhësin Bernard Challandes, i cili me stafin e tij ka vendosur që ta largojë nga kampi.

Kjo nuk është hera e parë që Muriq është në qendër të vëmendjes për sjellje të pahijshme.

Në grumbullimin e shkuar të Kosovës ku masat anti-COVID ishin strikte, ai ishte fotografuar me një vajzë në hotel e ku para vetes kishte edhe alkool.

Për këtë veprim, FFK-ja e kishte mbrojtur Aro Muriqin.

14:38

Muriqi përjashtohet nga kampi i Kosovës për shkelje disipline

Portieri i Përfaqësueses së Kosovës, Arijanet Muriq është larguar nga kampi i “Dardanëve” për arsye disiplinore, ka njoftuar Federata e Futbollit të Kosovës (FFK).

Në njoftim nuk janë dhënë detaje më shumë por që vetëm është zyrtarizuar largimit i portierit Muriq nga kampi.

“Me vendim të Federatës së Futbollit të Kosovës, futbollisti Arijanet Muric largohet nga kampi i ekipit kombëtar për arsye disiplinore”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Përfaqësuesja e Kosovës, sot i nis stërvitjet për ndeshjet e këtij muaji kurse Muriq është pritur të jetë titullar në portë. Ai së fundi ka qenë i rregullt te skuadra holandeze Willem II dhe rregullisht është zgjedhja e parë e përzgjedhësit të Kosovës, Bernard Challandes.

Kosova të mërkurën do të luajë miqësoren me Lituaninë përpara se të përballet me Suedinë dhe Spanjën, në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.