Sulmuesi i famshëm, Zlatan Ibrahimoviq, ka theksuar se i ka premtuar selektorit të Suedisë, Janne Andersson, se do të jetë vendimtar për përfaqësuese. Futbollisti 39-vjeçar i Milanit është kthyer te Suedia pas rreth katër vjetësh dhe pritet të paraqitet të dielën në “Fadil Vokrri” ndaj Kosovës.
Kosova e Suedia takohen në kualifikimet për Botërorin 2022 që mbahet në Katar. Suedia fillimisht të enjten e luan ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Gjeorgjisë, në Solna. Më pas, më 31 mars, luan miqësore me Estoninë.
Kthimi i Ibrahimoviqit pritet të sjellë dimension të ri te përfaqësuesja e Suedisë. Ai po kalon formë të lartë te Milani.
Ibrahimoviqi është paraqitur i emocionuar në konferencë për shtyp, të hënën në ditën e parë të grumbullimit të Suedisë. Agjencitë e huaja të lajmeve kanë raportuar se Ibrahimoviqit i janë mbushur syt me lot gjatë konferencës. Yllin e kanë tradhtuar emocionet kur është pyetur se çka kanë menduar djemtë e tij lidhur me vendimin që të luajë sërish për Suedinë.
“Vincent ka qarë kur unë e lash”, ka thënë Ibra në konferencë për shtyp, para se të fshinte disa lot nga emocionet e kthimit në përfaqësuese. Ai ishte pensionuar pas “Euro 2016”.
“Të luash në përfaqësuese është gjëja më e madhe që mund të bëni si futbollist. Unë e kam përcjellë Suedinë. Në brendi kam ndier se mund të ndihmoj ekipin. Mendoj se mund të bëj diçka”, ka vazhduar Ibra para reporterëve.
Ibra ka bërë të qartë se synon suksese të reja me Suedinë.
“Tani duhet të dëshmoj atë që ia kam premtuar selektorit”, ka thënë Ibrahimoviq. Ai është i gatshëm të kontribuoj për ekipin përfaqësues.
“Ne jemi takuar për herë të parë, të vetëm në një dhomë, dhe kemi folur për të gjitha”, ka thënë Ibra i famshëm lidhur me raportin me selektorin.
“Ishte një takim pozitiv në të cilin jemi ballafaquar me njëri-tjetrin dhe në fund zgjodhëm atë që është më mirë për Suedinë. Ne të dy e dimë se çka është më së miri për ekipin nacional dhe unë sot po qëndroj para juve. Nëse jam këtu nuk është se quhem Zlatan Ibrahimoviq, por pasi e meritoj të jem këtu. Çdo gjë që kam bërë më parë nuk do të thotë asgjë. Unë ndihem i gatshëm, dua të jem i përfshirë dhe ndiej se mund të kontribuoj ende për ekipin nacional. Unë jam pjesë e një tërësie”.
Ibrahimoviqi ka dhënë deklarata të mëdha, si zakonisht.
“Nëse më pyesni mua, unë jam më i miri në botë, por kjo nuk ndihmon këtu. Unë thjesht dua të vë përvojën time në dispozicion të ekipit dhe i kam premtuar trajnerit se do të jem vendimtar. Tani duhet ta dëshmojë këtë në fushë”, ka theksuar sulmuesi.
Ibra ka thënë se nuk po shikon që të marrë shiritin e kapitenit nga Andreas Granqvist, por ka pranuar se ka pyetur sulmuesin e Real Sociedadit, Alexander Isak, për të marrë fanellën me numër 11.
“Në kokën time kapiten është Andreas Granqvist. Por i takon trajnerit të vendosë. Kam pyetur Alexandrin nëse mund të kem fanellën me numër 11. Ai më ka thënë ok, nëse mund ta marr prapë për gjashtë apo shtatë vjet. Forsberg më ka ofruar numrin 10, por kam refuzuar pasi ky është një kapitull i ri dhe është në rregull që ta ketë ai. Në fund, numri im nuk ka rëndësi vërtet”.
Ibrahimoviqi është golashënuesi më i mirë i Suedisë me 62 gola. Këtë shifër e ka arritur në 116 paraqitje.
Ai ka karrierë të mahnitshme. Ka luajtur për skuadra si: Malmo, Ajax, Juventus, Inter, Barcelona, Milan, PSG, Manchester United e LA Galaxy.