Sport

Daku: Gjithmonë i gatshëm të jap më të mirën për Kosovën

Seleksionuesi i Kosovës, Bernard Challandes, e ka përcjellë në stadium ndeshjen mes Ballkanit dhe Trepçës ’89.

Sulmuesi i Ballkanit, Mirlind Daku, mendon se i takon përzgjedhësit, Bernard Challandes që të vendos nëse e meriton të ftohet apo jo te Kosova.

Challandesi ishte në stadiumin “Riza Lushta” të dielën në ndeshjen Trepça ’89 – Ballkani, duel ku Daku shënoi një gol.

“Nuk kam qenë i informuar që Challandesi do të jetë në stadium. Unë e bëjë punën time. Nëse ai mendon që unë duhet të ftohem, atëherë unë jam i gatshëm, qoftë për tani, apo edhe për më vonë. Unë prapë vazhdojë të punojë, ta bëjë punën sa më mirë që mundem. Do të ishte motiv shtesë po të ftohesha në këtë grumbullim, e po ashtu edhe për të kaluar në ndonjë klub jashtë vendit në fund të sezonit. Por, kjo i mbetet trajnerit. Unë jam i gatshëm çdoherë të jap më të mirën për Kosovën”, deklaroi Daku.

Ai foli edhe për formën fantastike, ku deri me tani ka shënuar 26 gola.

“Vet statistikat tregojnë që ka qenë sezon i mirë për mua. Por, nëse nuk arrihen objektivat e klubit, këto statistika nuk do të vlenin asgjë për mua. Shpresoj që të arrihen objektivat e klubit në fund të sezonit”, tha Daku pas ndeshjes.