Kampioni në fuqi, Bayern Munichu, do të përballet në çerekfinale me ekipin që e mposhti në finalen e Ligës së Kampionëve edicionin e shkuar. Shorti i tërhequr të premten në Nyon të Zvicrës bëri që në çerekfinale të këtij sezoni të Championsit, Bayerni të luajë kundër nënkampionit në fuqi të Evropës, Paris Saint-Germainit. Në gushtin e vitit të shkuar Bayerni e pati mposhtur 1:0 PSG-në, në ndeshjen e luajtur në Lisbonë prapa dyerve të mbyllura për ta fituar trofeun e gjashtë në Evropë. Në fakt, Bayerni edhe këtë edicion mbetet favoriti kryesor pasi në Ligën e Kampionëve ka një seri prej 18 fitoreve dhe vetëm një barazimi në 19 ndeshjet e kësaj gare, të cilën e nisi prej fillimit të sezonit të shkuar. Ndeshja e parë do të luhet në stadiumin “Allianz Arena” më datat 6/7 prill, kurse ajo e kthimit pas një jave në Paris. Te Bayerni pranojnë se dueli me francezët është përsëritje e finales së fundit, por insistojnë se PSG-ja këtë edicion po luan dukshëm më mirë dhe në krye ka trajnerin Mauricio Pochettino, i cili para tre vjetësh pati arritur deri në finale të kësaj gare me Tottenhamin.
"PSG-ja është një ekip shumë i mirë dhe kjo është një sfidë e nivelit më të lartë për ne. Kështu që, me padurim i presim ndeshjet. Krahasuar me finalen e vitit të kaluar, ata kanë një trajner të ri që po bën një punë të mirë. Normalisht, avantazhi në shtëpi është shumë i rëndësishëm, por për momentin do të duhet të shohim se si dhe ku mund të zhvillohen ndeshjet”, ka thënë drejtori sportiv i Bayernit, Hasan Salihamixhiq.
Ndërkohë trajneri i PSG-së, Pochettino, ka pranuar se ekipi i tij do të jetë plotësisht i gatshëm për duelet me Bayernin. Ai ka thënë se është optimist për të kaluar në gjysmëfinale pasi PSG-ja në 1/8 e finales arriti ta eliminonte Barcelonën.
“Ne jemi të lumtur që jemi në mesin e tetë ekipeve më të mira në Evropë. Liga e Kampionëve është shumë e vështirë për të fituar, kurse përballë kemi kampionin në fuqi të kësaj gare. Përfundimisht, është një short shumë i vështirë por surprizat ekzistojnë. Edhe pse kemi përballë ekipin më të mirë të kontinentit jam optimist pasi më herët e eliminuam Barcelonën. Tani do të fokusohemi te Bayerni pasi objektivi ynë është kualifikimi në gjysmëfinale”, është shprehur Pochettino.
Një tjetër ndeshje e fortë në kuadër të fazës çerekfinale do të jetë ajo ndërmjet Real Madridit dhe Liverpoolit. Madrilenët e kanë fituar 13 herë këtë trofe karshi Liverpoolit që ka triumfuar vetëm gjashtë herë në këtë garë. Në të vërtetë kjo do të jetë përsëritje e një finaleje tjetër të Championsit e vitit 2018, në të cilën pati triumfuar Real Madridi. Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, ka thënë se është një short i vështirë por e gëzon fakti që te Reali nuk do të jetë ylli portugez Cristiano Ronaldo dhe ai uellsian Gareth Bale, të cilët ishin pjesë e madrilenëve në finalen e vitit 2018. Atëbotë në finalen e luajtur në Kiev të Ukrainës pati triumfuar Reali me rezultatin 3:1.
“Do të jenë përballje emocionuese, por pa dyshim se është një short shumë i vështirë. Mendoj se do të jemi të gatshëm të përballemi me Real Madridin, ekip që na mposhti në finalen e vitit 2018. Tani kemi rastin të dëshmojmë edhe një herë veten kundër tyre dhe kjo është mirë”, është shprehur Klopp, i cili sa ishte në krye të Borussia Dortmundit është përballur hiç më pak se gjashtë herë kundër Real Madridit. “Mendoj se është hera e parë që Reali do të jetë pa Ronaldon dhe Balen, por sërish në radhët e tyre kanë lojtarë si: Sergio Ramos, Luka Modriq e Karim Benzema. Do të jenë përballje të vështira, përfundimisht”.
Lideri aktual i Premier Leagues, Manchester City, që po kërkon trofeun e parë në Champions, do të përballet me Borussia Dortmundin. Dhe fituesi i këtij dueli në gjysmëfinale do të luajë kundër fituesit të çerekfinales ndërmjet Bayernit dhe PSG-së.
“Është privilegj që jemi në çerekfinale, ndonëse në tre vjetët e fundit jemi eliminuar pikërisht në këtë fazë. Dortmundi është një ekip fantastik me lojtarë si Erling Haalandi, i cili po impresionon me statistikat e tij. Ne duhet të tregojmë paraqitje të mira në të dyja ndeshjet dhe të përpiqemi të avancojmë tutje”, ka shtuar trajneri i Cityt, Pep Guardiola.
Ndërkohë çifti i fundit çerefkinal është ai ndërmjet Portos dhe Chelseat. Porto në raundin paraprak e eliminoi Juventusin derisa Chelsea ishte më e mirë se Atletico Madridi. Fituesi i këtij dueli do të luajë në gjysmëfinale kundër fituesit të ndeshjeve mes Realit e Liverpoolit. Chelsea po shkëlqen prej fundit të muajit janar, kur drejtimin e ekipit e mori gjermani Thomas Tuchel, që më herët u shkarkua nga PSG-ja. Nën drejtimin e Tuchelit, skuadra londineze nuk di për humbje në 13 ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Finalja e Ligës së Kampionëve do të luhet në Stamboll më 29 maj.
“Jam i lumtur që në këtë raund kemi anashkaluar përballjen me një ekip nga Anglia. Në këtë fazë nuk ka skuadra të dobëta, kështu që duhet të tregohemi të kujdesshëm ndaj Portos pasi arriti të eliminonte Juventusin. Ndoshta të gjithë mendojnë se jemi favoritë, por kjo nuk na ndihmon aspak. Megjithatë, këtyre ndeshjeve do t’i futemi me vetëbesim të madh pasi fokusi i vetëm do të jetë kualifikimi në gjysmëfinale”, është shprehur trajneri i Chelseat, Tuchel.
Të premten është tërhequr edhe shorti për çiftet çerekfinale të Ligës së Evropës dhe spikat dueli ndërmjet Ajaxit dhe Romës. Duelet e tjera janë: Granada – Manchester United, Arsenal – Slavia Praga dhe Dinamo Zagreb – Villarreal. Ndeshjet e para çerekfinale do të luhen më 8 prill, derisa ato të kthimit pas një jave. Finalja e Ligës së Evropës do të zhvillohet në Poloni më 26 maj.
Çiftet e çerekfinales
Bayern M. – PSG
Real Madrid – Liverpool
Man. City – Borussia D.
Porto – Chelsea