Sport

Llapi kalon në gjysmëfinale, Istogu e A&N në vazhdime

Descriptive Text

Skuadra e Llapit është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll. Ekipi i trajnerit Tahir Batatina, e ka eliminuar Trepçën ’89 në çerekfinalen e luajtur në stadiumin “Riza Lushta” të Mitrovicës.

Ndeshja e luajtur të enjten, ka përfunduar me rezultatin 2:1 në të mirë të skuadrës së Llapit. Ahmed Januzi (8’) dhe Valmir Veliu (51’) shënuan golat për Llapin derisa Mohamad Darwish (73’) realizoi për skuadrën e Trepçës ’89. Llapi bëhet skuadra e tretë që kalon në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës pas Prishtinës dhe Dukagjinit. Ndërkohë, ndeshja tjetër çerekfinale që po luhet në stadiumin “Demush Mavraj” ndërmjet Istogut dhe ekipit A&N nga Prizreni ka shkuar në vazhdime pasi koha e rregullt është mbyllur me rezultatin 1:1. Egzon Kurteshi (72’) ka kaluar në epërsi Istogun derisa A&N ka barazuar shifrat në minutën e 90-të.