Sport

Rodri po shkëlqen te City, por ai nuk shquhet vetëm në fushë

Manchester, 5 mars – Rodrigo Hernandez, i njohur më shumë si “Rodri”, ka qenë pjesë integrale e formës së pabesueshme të Manchester Cityt këtë edicion, duke luajtur më shumë minuta se çdo lojtar tjetër në skuadrën e trajnerit Pep Guardiola.

Mirëpo përveç nuhatjes së sulmeve të kundërshtarëve dhe ndërtimit të sulmeve të Cityt, mesfushori spanjoll është i fokusuar edhe në një gjë tjetër. Ai po i kryen studimet dhe po mëson për t’u pajisur me diplomë universitare në degën Administrim Biznesi dhe Menaxhim.

Rodri 24-vjeçar e përdori pushimin nga futbolli në bllokimin e parë shkaku i shpërthimit të koronavirusit, për t’iu përkushtuar studimeve të tij dhe tani është pranë përfundimit të fakultetit.

“Nuk mund të them tani se çfarë do të bëj në të ardhmen, por jam duke studiuar për të marrë një diplomë në menaxhim dhe administrim biznesi, sepse për ne futbollistët me shumë angazhim, është një sfidë të fillosh studimet dhe të mbarosh ato me diplomë. Jam i sigurt se në të ardhmen kjo diplomë do të jetë e dobishme për mua në një mënyrë apo tjetrën”, ka pranuar Rodri. “Unë jam krenar dhe i lumtur për këtë dhe jam gati duke i përfunduar studimet. Kështu që shpresoj që gjithçka të shkojë mirë që të mund të pajisem me diplomë këtë vit”.

Ndërsa fokusi i tij ka qenë në karrierën si futbollist, arsimimi gjithmonë ka qenë primar për Rodrin. Madje ai është dërguar në SHBA dhe Irlandë qysh në moshë të re për të mësuar rreth programit të këmbimit valutor. Ai ka shkuar në këto vende së bashku me babanë e tij për shkak se dëshironte ta mësonte sa më mirë gjuhën angleze. Kur ishte pjesë e skuadrës së Villarrealit dhe luante në La Liga, Rodri e shfrytëzoi kohën për studime në degën e biznesit dhe ekonomisë në Universitet, diplomë me të cilën tashmë është i pajisur. Dhe në mënyrë që të sigurohej që të mos humbiste asnjë ligjëratë, Rodri qëndroi në konviktin e studentëve në Universidad de Castellon. Përpara një interviste për të përditshmen spanjolle “Marca” në atë kohë, në prag të Kampionatit Evropian për grupmoshën U21 në vitin 2017, Rodri u pa të vinte me një top nën njërin krah dhe me një grumbull librash në tjetrin. Në të vërtetë edhe studentët e atij universiteti ishin të habitur kur e shihnin Rodrin që jetonte në konvikt dhe përgatiste ushqimin në dhomën e tij, ndonëse kishte një pagë të majme si futbollist.

“Njerëzit ishin të shokuar kur e shihnin Rodrin, një futbollist që luante në elitën e futbollit spanjoll por që jetonte në rezidencën e universitetit”, kujton Valentin Henarejo, miku i tij i studimeve në Spanjë. “Megjithatë, pasi e njihnin më mirë, gjërat ktheheshin në normalitet sepse të gjithë e kuptonin se Rodri ishte një djalosh i thjeshtë që fokusohej në studimet e tij. Ai e ndau hapësirën e tij më të gjithë në dhomë, i pëlqente të rrinte më miqtë e tij dhe nuk fliste për futbollin por për librat dhe ligjëratat, në të cilat nuk mungoi asnjëherë”.

Gjëja më e çuditshme ishte të shihnin Rodrin duke luajtur një sport krejt tjetër.

“Në fillim u befasuam kur e shihnim duke luajtur ping-pong, një sport që e pëlqente shumë. Ndërsa, edhe më habitës ishte fakti kur Rodri i pastronte rrobat e tij”.

Rodri pranon se shumë lehtë ka mundur të ketë një apartament të tij dhe të mos qëndrojë fare në konvikt, por blerja rekorde e Cityt në vitin 2019, insistoi se nuk motivohet nga paratë apo ana materiale. Në një moment automjeti i tij i zgjedhur ishte një veturë e tipit Vauxhall Corsa e dorës së dytë që ai e bleu nga një grua e moshuar. Për ta transferuar nga skuadra e Atletico Madridit, skuadra e Cityt pagoi hiq më pak se 80 milionë euro dëmshpërblim për kartonin e Rodrit.

“Makina e tij, deri vonë, ishte një Opel Corsa e dorës së dytë të cilën ai e bleu nga një grua kur mori patent shoferin. Rodri ka qenë dhe mbetet një djalosh i thjeshtë që nuk lakmon paratë”, shtoi Henarejo.

Në klub e këshilluan atë që të blinte një makinë më të mirë për sigurinë e tij dhe pë komoditet në udhëtimet e shpeshta nga Madridi në Castellon. Por ai nuk e kuptonte pse do të duhej të shpenzonte aq shumë para në një veturë derisa e kishte një modeste.

“Një herë ai më tha se disa miq ishin 'të çmendur' pas blerjes së makinave të shtrenjta, por për Rodrin kjo nuk është rëndësi. Sipas tij, e rëndësishme është që makina të dërgoj në një pikë të caktuar”, shton Henarejo.

Me fanellën e tij që rregullisht e mbanë të futur brenda, Rodri paraqet një mentalitet të vjetër në fushë. Jashtë fushës është e njëjta gjë. Ai nuk merret me rrjetet sociale të çfarëdo forme dhe as nuk ka tatuazhe në trupin e tij. Me një fjalë mundohet që të jetë sa më i thjeshtë në çdo aspekt të jetës. Edhe pse e ka këtë qasje të thjeshtë, si lojtar dhe person, një gjë e tillë po i shërben Rodrit për të mirë. Duke folur në faqen zyrtare të Manchester Cityt në lidhje me studimet e tij, Rodri tha: “Kur të përfundoj karrierën time si lojtar do të doja të qëndroja në kontakt me botën e sportit. Por nëse nuk ndodh do të jetë në rregull sepse do ti përkushtohem biznesit. Për këtë arsye po i kryej studimet”.

Rodri, i cili ka kontratë me Cityn deri në vitin 2024, këtë edicion ka shënuar një gol dhe ka asistuar dy herë në 37 paraqitje në të gjitha garat. Ai po ashtu ka edhe 17 ndeshje dhe një gol të shënuar me fanellën e Përfaqësueses së Spanjës.