Jordanço Davitkov më nuk është trajner i Pejës dhe largimi i tij është konfirmuar nga drejtuesit e klubit të enjten për KOHËN.
Davitkov është shkarkuar pas humbjes nga Golden Eagle Ylli të mërkurën mbrëma, që ishte disfata e tretë rresht për Pejën në kampionat. Davitkov në fund të vitit të shkuar mori drejtimin e Pejës duke e zëvendësuar në këtë post kroatin Edi Xhelalija. “Davitkov më nuk është trajner i Pejës dhe tashmë jemi në bisedime me dy tjerë kur brenda një kohe të shkurtër do të njoftojmë se kush do të jetë në krye të ekipit për pjesën e mbetur të sezonit”, tha Fatmir Gashi, kryetari i KB Pejës. Pas 21 xhirove të luajtura në Superligë, KB Peja zë vendin e katërt në tabelë me 33 pikë të mbledhura.