Sport

Për sjellje josportive, Duro dënohet me 500 euro

Descriptive Text

Trajneri i Feronikelit, Klodian Duro, është dënuar me 500 euro të mërkurën nga Komisioni Disiplinor i shkallës së parë. Trajneri Duro është dënuar për sjellje josportive në ndeshjen Feronikeli – Drenica, që u zhvillua në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Ishte takim i xhiros së 21-t, dhe “kuqezinjtë” fituan si mysafir me rezultatin 3:1. Deri në kompletimin e lëndës është pezulluar edhe Lumbardh Dellova, qendërmbrojtësi i Prishtinës. Dellova është pezulluar me arsyetimin se pas përfundimit të ndeshjes së xhiros së 22-t, Trepça ’89 – Prishtina, që u fitua nga kryeqytetasit 2:1, sipas Komisionit Disiplinor, ai kishte bërë gjeste jo sportive, banale dhe të pahijshme që ka nxitur reagime te përfaqësuesit e klubit mitrovicas.

Pas përfundimit të po asaj ndeshjeje, kryetari i Trepçës ’89, Abedin Zeka, ka akuzuar drejtuesit e organeve të FFK-së, ndërsa i është hapur procedurë disiplinore deri në kompletimin e lëndës. Llapi ndërkohë për duelin ndaj Ballkanit të zhvilluar në Podujevë e që përfundoi me rezultatin 1:0 në kuadër të xhiros së 22-t, është dënuar me vërejtje të fundit, për shkak se janë lejuar shikuesit në tribunat e stadiumit, në kundërshtim me masat anti-Covid 19, dhe në minutën 86 janë futur topa në fushë në mënyrë të qëllimshme.