Sport

Buffoni nuk përjashton mundësinë që të pensionohet në fund të sezonit

Gianluigi Buffon insiston se mund të luajë deri në vitin 2023, por portieri italian nuk e ka përjashtuar mundësinë e tërheqjes nga futbolli aktiv në fund të këtij sezoni, kanë raportuar mediumet e huaja të mërkurën.

Buffon 43-vjeçar, ka kontratë me Juventusin deri në muajin qershor.

“Në kokën time, është përfundimisht një datë kur do të ndaloj së luajturi. Maksimumi është deri në qershorin e vitit 2023”, është shprehur Buffon. “Mirëpo, gjithashtu mund të tërhiqem pas katër muajve”.

Buffon në verën e vitit 2019 u kthye te Juventusi pas një edicioni të kaluar te Paris Saint-Germaini.

Karrierën si profesionist Buffoni e nisi në vitin 1995 te Parma ku luajti deri në vitin 2001 përpara se t’i bashkohej Juventusit ku u paraqit për 17 vite.

Me fanellën e Juventusit ka fituar dhjetë tituj kampioni në Serie A në mesin e shumë trofeve, kurse ka fituar edhe titullin e botës me Italinë.

Këtë edicion, Buffon ka dhjetë paraqitje me Juventusin.