Prishtinë, 2 mars – Mesfushori i Kosovës, Herolind Shala, ishte përshëndetur me klubin Valerenga në fund të vitit të kaluar. Madje, qysh në verën e vitit të kaluar ua kishte bërë me dije drejtuesve të klubit se do të largohej në fund të 2020-ës.
Largimin e Shalës e kishte pranuar me sportivitet trajneri Dag-Eilev Fagermo. Madje pati deklaruar për mediumet norvegjeze se largimi i Shalës është diçka shumë korrekte.
Por gjërat kanë ndryshuar ndërkohë. Shala do të jetë nën urdhrat e trajnerit Fagermo edhe për një vit.
Shala ka thënë të martën për KOHËN se gjasat janë që do të mbetet pjesë e Valerengas edhe për një vit. Madje në stërvitje me Valerengan mund të dalë qysh të mërkurën.
“Kam biseduar me disa klube, por ende nuk kanë vendosur. Por nuk mund të pres më, më duhet të qëndroj. Nuk kam mundësi tjetër. Nuk e di a do të filloj nesër apo pasnesër me stërvitje, të shohim”, ka thënë Shala për KOHËN.
Shala, 29-vjeçar, te Valerenga u transferua në vitin 2019 dhe qëndroi dy vjet. Për qëndrimin e Shalës te klubi nga Oslo kanë raportuar edhe mediumet në Norvegji. Edicionin e kaluar Shala për Valerengan shënoi dy gola dhe asistoi katër herë.
Shala thotë se gjatë gjithë periudhës sa nuk ishte pjesë e Valerengas, ka stërvitur me trajner personal. Ai insiston se është në formë të mirë dhe i gatshëm për sfidat e reja.
“Jam në formë shumë të mirë, sepse kam stërvitur me trajner personal. Kam dhënë maksimumin në çdo stërvitje, edhe pse kanë qenë individuale. Unë jam lojtar profesionist dhe sigurisht që kam stërvitur maksimalisht për ta ruajtur formën fizike”, ka theksuar Shala.
Kampionati në Norvegji nuk ka nisur ende, ndërsa Valerenga ndeshjen e parë kampionale do ta luajë më 5 prill në shtëpi kundër Moldes. Shala ka kohë ende për t’u përgatitur me klubin.
Shala karrierë ka bërë edhe te Starti, Lyngby, Sparta e Pragës, Kasimpasha, Slovani, Oddsi e Notoddeni. Ai prej vitit 2016 është pjesë e Kosovës dhe llogaritet prej lojtarëve kryesorë. Para se të luajë për Kosovën, Shala kishte një aventurë edhe te Përfaqësuesja e Shqipërisë.
Shala pret të ftohet sërish te Kosova për ndeshjet e këtij muaji. Kosova më 24 mars luan miqësore kundër Lituanisë, kurse pas katër ditësh e pret Suedinë në ndeshjen e parë të ciklit kualifikues për kampionatin botëror “Katari 2022”. Më 31 mars, “Dardanët” udhëtojnë drejt Sevillas për t’u përballur me gjiganten evropiane, Spanjën.
Shala thotë se është gati ta japë kontributin e tij për Kosovën edhe në ndeshjet e ardhshme, ashtu siç thotë ka bërë edhe në të kaluarën.
“Jam i gatshëm gjithnjë për Kosovën”, ka thënë Shala. Kosova në Grupin B është edhe me Greqinë dhe Gjeorgjinë.
Shala nuk është i vetmi që nuk është paraqitur së fundi. Mungesë të ndeshjeve kanë edhe disa mesfushorë të Kosovës. Hekuran Kryeziu nuk po luan rregullisht, meqë ka humbur vendin te Zuerichu. Anel Rashkaj ka bërë hap prapa në karrierë dhe gjasat janë shumë të vogla të jetë më pjesë e Kosovës. Ndërkohë formë të mirë nuk po kalon as Valon Berisha që po ashtu nuk është i rregullt te Reimsi. Së fundi Idriz Voca dhe Besar Halimi po luajnë më shumë.
Te kampi i Përfaqësueses së Kosovës kanë paralajmëruar se disa lojtarë mund të mos ftohen për ndeshjet e marsit e disa edhe mund ta humbin përgjithmonë vendin te “Dardanët”.
“Ajo që unë mund të konfirmoj është se dera është gjithmonë e hapur, jo vetëm për ardhje, por edhe për largime, qofshin ato të përkohshme për shkak të formës së momentit, apo të përhershme për arsye nga më të ndryshmet”, pati thënë ditë më parë për KOHËN menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala.