Sport

Milani fiton derbin, mbetet katër pikë pas Interit

Milani ka fituar derbin e xhiros së 24-t në Serie A. E ka mposhtur në “Olimpico”, Romën me rezultatin 2:1. Me këtë fitore “Rossonerët” mbajnë hapin me liderin, Interin, në luftë për titull të kampionit.

Pjesa e parë e ndeshjes u dominua nga “kuqezinjtë” që krijuan disa raste shënimi. Madje mysafirëve iu anulua një gol për pozicion jashtë loje, të shënuar nga Zlatan Ibrahimoviq.

Milani golin e avantazhit e shënoi në minutën e 43-të me Franck Kessie. Me rezultatin 1:0 u mbyll pjesa e parë.

Me të filluar pjesa e dytë vendasit barazuan rezultatin me golin e shënuar nga Jordan Veretout.

Por gëzimi i vendasve zgjati vetëm tetë minuta pasi Ante Rebiq, kaloi sërish në epërsi ekipin e tij me 2:1.

Me këtë fitore Milani është në pozitën e dytë me 52 pikë, ndërsa Roma në vendin e pestë me 44 pikë. Udhëheq Interi me 56 pikë.