Sport

 Kampionia e atletikës që la shtigjet për t’u bërë trajnere dhe gjyqtare

Descriptive Text

E shtuna ishte goxha e ngjeshur për Florentina Kallabën. Nisi me angazhim në orën 11:00, ndërsa përfundoi në orën 22:00. Pasi përfundoi angazhimin si trajnere e kategorisë 5-11 vjeç në shkollën e futbollit “2 Korriku” të Prishtinës, Kallaba u nis drejt Drenasit për ta ndarë drejtësinë në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Futsallit ndërmjet Liqenit dhe Mabetex Prishtinës. Kallaba është e pajisur me licencën B të UEFA-së për trajnere, ndërsa pak javë më parë mori edhe stemën e FIFA-s për gjyqtare.

“Ka qenë ditë e gjatë për mua, por edhe kënaqësi njëkohësisht”, thotë ajo.

Mirëpo, në futboll, trajnerja dhe gjyqtarja e futbollit nga Kamenica nisi të angazhohet vetëm pasi la atletikën, sport me të cilin është marrë plotë tetë vjet. Atletika dhe futbolli nuk ishin sportet e vetme për Kallabën, gjë që e pranon edhe ajo vetë.

“Kam pasur aftësi të mira edhe në volejboll e basketboll”, thotë 29-vjeçarja, që ka përfunduar studimet bachelor në Fakultetin Ekonomik, dega Banka, Financa dhe Kontabilitet. “Kam qenë pjesë e klubit të atletikës Rogana. Në nivelin komunal dhe rajonal kam qenë kampione, ndërsa në nivelin kombëtar kam qenë nënkampione e Kosovës në garat e atletikës”, mburret Kallaba me të arriturat e saj.

Ajo thotë se ka qenë edhe themeluese e klubit të futbollit të femrave “Intelektualet” nga Gjilani, ku edhe ka qenë kapitene.

Paralelisht me angazhimin si lojtare, Kallaba në vitin 2015 ka nisur ta ndjekë trajnimin për trajnere të këtij sporti, të organizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Gjermanisë, me ç’rast është pajisur edhe me licencën UEFA- B “EliteYouth”. Ajo thotë se ka qenë edhe femra e parë në Kosovë që është pajisur me këtë licencë dhe ka qe dy vjet që punon te 2 Korriku si trajnere e grumoshave 5-11 vjeç.

“Tash e dy vjet jam pjesë e klubit të 2 Korriku. Ka qenë dëshirë e kamotshme të punoj si trajnere. Si çdo profesion tjetër, ashtu edhe ai i trajneres i ka vështirësitë e veta, por e bëj me pasion dhe dëshirë. Të jesh trajnere femër e futbollit mund të jetë punë pak më e vështirë, jo për shkak të angazhimit të madh, por për shkak të mentalitetit që te ne ende ekziston, por është gjithashtu kënaqësi e madhe të punosh sidomos me fëmijë. Presion nuk ka nga askush, mundohem ta jap më të mirën nga vetvetja për fëmijët. Kam përgjegjësi shumë të mëdha, sepse të stërvitësh një skuadër do të thotë t’u mësosh të punojnë shumë dhe njëkohësisht të kenë disiplinë të madhe për t’i arritur synimet që kanë përcaktuar për të ardhmen”, ka deklaruar ajo.
Kallaba insiston se ambiciet e saj kanë qenë gjithmonë të jetë trajnere e ndonjë skuadre.

“Gjatë kohës kur kam qenë lojtare aktive e futbollit, gjithmonë kam pasur ambicie të jem pjesë e fushës së gjelbër në vazhdim të karrierës dhe pas pensionimit nga futbolli aktiv. Si gjithmonë, mbështetja, përkrahja e familjes dhe miqve që kisha përreth, nuk mungonin asnjëherë. Ofertat nga klubet e tjera kam pasur, por unë jam e fokusuar të jap më të mirën në ekipin e 2 Korrikut, meqë tanimë jemi familjarizuar shumë dhe ndihem si në shtëpinë time”, thotë Kallaba.

Synimet e saj shkojnë përtej nivelit ku është. Ajo ëndërron që një ditë të ndajë drejtësinë edhe në ndonjë kampionati evropian, pse jo edhe botëror.

“Synimet e mia gjithmonë janë bazuar në punën e madhe që duhet të bëj dhe sukseset që më pas do t’i kem. Edhe pse jam femra e parë në Kosovë që kam marrë licencën B të UEFA-s, kam synim t’i përfundoj të gjitha licencat tjera për trajnerë, në mënyrë që ta jap një kontribut shumë më të madh në futboll, duke zbatuar të gjitha eksperiencat që kam përfituar sidomos në futbollin e femrave”, është shprehur ajo.
Kallaba gëzohet që gjinia femërore në Kosovë ka nisur të merret më shumë me sport.

“Nuk mund të themi se është niveli shumë i kënaqshëm, pasi që femrat kanë hezituar t’i bashkohen futbollit për shkak të paragjykimeve, por pas pranimit në UEFA e FIFA dhe sukseseve që po arrihen edhe në futbollin e femrave, ka një interesim më të madh sidomos te moshat e reja, gjë që na bën të jemi të kënaqur dhe të shpresojmë që do të kemi një të ardhme të ndritur edhe në futbollin e femrave shumë shpejt”, ka thënë Kallaba.

Ajo ka besim se futbollistet e Kosovës shpejt do ta bëjnë krenar vendin me paraqitjet e tyre plot dinjitet.

“Kam një bindje që po të punohej që nga moshat e reja edhe te femrat, do të kemi shumë shpejt një përfaqësuese shumë të fortë dhe të denjë për rajonin dhe pretendente për Evropë”, ka thënë Kallaba.