Sport

Berisha i vendosur që të shkruajë histori edhe me Western Unitedin

Prishtinë, 28 shkurt - Lista e sukseseve dhe e rekordeve në futbollin e Australisë është shumë e gjatë për Besart Berishën.

Berisha, 35-vjeçar, në vitin 2011 kishte firmosur me Brisbane Roar dhe më pas luajti me plot sukses edhe për Melbourne Victory. Me të dyja ekipet fitoi tituj e theu rekorde.

Por ish-sulmuesi i Shqipërisë dhe i Kosovës është i uritur për suksese të tjera. Tani synon të shkruajë histori edhe me skuadrën Western United, që nuk ka më shumë se tre vjet nga themelimi. Berisha thotë se synimet e tij me klubin janë të fitojë trofe këtë edicion.

Berisha të shtunën shënoi dy gola dhe asistoi një herë në fitoren kundër ish-skuadrës së tij, Melbourne Victory. Western United falë shkëlqimit të Berishës fitoi në fund 4:3 për të mbetur në garë për kreun e tabelës.

“Jam shumë i lumtur për klubin dhe tifozët, sepse derbit janë shumë me rëndësi për t’u fituar. Unë zakonisht para lojës koncentrohem goxha shumë e sidomos për ndeshjen kundër Melbourne Victory, pasi ishte derbi edhe kundër ish-ekipit tim të vjetër ku kam kaluar një kohë shumë të mirë. Ka qenë një ndeshje emocionale për mua personalisht”, ka thënë Berisha të dielën për KOHËN.

Western United është në vendin e shtatë me 11 pikë, shtatë më pak se lideri Central Coast Mariners, që ka dy ndeshje më shumë të zhvilluara.

“Qëllimi im për këtë vit është të krijojmë histori me ekip të ri ashtu si është Western United. Është vonë i themeluar dhe synimi është të fitojmë këtë vit me ekipin. E kemi një ekip shumë të mirë këtë vit me lojtarë që janë të gatshëm të bëjnë një sezon të mrekullueshëm. Kështu që qëllimi është të fitojmë trofe”, është shprehur sulmuesi energjik.

Rekordmeni për gola të shënuar në “A-League” të Australisë, këtë edicion ka realizuar pesë të tillë, ndërsa ka asistuar një herë. Ai pret të shënojë edhe në ndeshjet e ardhshme për ta ndihmuar ekipin drejt realizimit të synimeve. Në fakt, Berisha ka shpërthyer në tri ndeshjet e fundit duke realizuar pesë gola.

Skuadrës Western United, Berisha iu bashkua në shtator të vitit të kaluar si lojtar i lirë. Në Australi u kthye pas një periudhe jo të mirë të kaluar në Japoni te skuadra Sanfrecce Hiroshima.

Para se të merrte rrugën e largët për në Australi, Berisha luajti për disa klube në Evropë, kryesisht në Gjermani. Ka luajtur për Tenis Borussia Berliinn, Hamburgun, Aalborgun, Horsensin, Burnleyn, Rosenborgun, Arminia Bielefeldin, ndërsa në vitin 2011 u transferua në Brisbane Roar. Te kjo skuadër qëndroi deri në vitin 2014, vit kur edhe iu bashkua Melbourne Victoryt. Te kjo skuadër qëndroi për katër vjet të tjerë.

Berisha luajti 17 ndeshje, nga viti 2006 deri në vitin 2009, për Shqipërinë, ku shënoi një gol. Një ndeshje e luajti edhe për Kosovën.

Ai të gjitha rekordet dhe sukseset i mban në kampionatin e Australisë për të cilat thotë se është goxha i lumtur.

Javën e kaluar me golat në fitoren 4:1 të Western United ndaj Macarthur, Berisha u bë realizatori i dytë në histori të kampionatit të Australisë.

“Jam shumë i lumtur për arritjet e mia. Kam punuar shumë në këtë drejtim. E kam një shprehje të cilën shpesh e përmendi se ‘rekordet janë bërë për t’u thyer’. Kështu që, ashtu si e kam thyer unë rekordin, edhe dikush tjetër besoj që do të vijë pas meje”, ka thënë Berisha.