Sport

Pas Lojëra Olimpike, Majlinda Kelmendi vendos nëse do të vazhdojë të garojë

(Kosova Press) - Javë më parë, trajneri i xhudos Driton Kuka, në një intervistë për KosovaPress, kishte deklaruar se viti 2021 mund të jetë i fundit për Majlinda Kelmendin sa i përket pjesëmarrjes në gara. Një gjë të tillë nuk e mohon as vet ish-kampionia e botës, e cila thotë se kjo do të vendoset pas Lojërave Olimpike, varësisht nga disponimi i saj.

“Do të shohim pas Lojërave Olimpike si po shkon. Sigurisht se pas Lojërave Olimpike do ta kem një pushim ndoshta pak më të gjatë, pushim prej garave, pastaj të shoh se si po ndihem. Në këtë nivelin ku gjendem duhet të jetë motivi shumë i madh, nuk është e lehtë të ushtrosh dhe të vazhdosh të garosh kur i ke të gjithë titujt, kur ke arritur gjithçka çfarë mundet një sportist të arrijë në sport, kështu që të shohim disponimin pas Lojërave Olimpike”, tha Majlinda Kelmendi.

Ajo ka folur edhe për ditën e garave gjatë të cilave thotë se nuk ishte ndjerë mirë fizikisht e as psiqikisht, por e lumtur që i kishte sjellë Kosovës një tjetër medalje të bronztë nga Grand Slami i mbajtur në Tel Aviv të Izraelit.

Kelmendi tha se viti 2021 ka filluar mirë për atë dhe se do të vazhdojë të përgatitet për Olimpiadën, e cila pritet të mbahet po ashtu gjatë këtij viti.

“E kam filluar mirë vitin 2021. Në Izrael nuk mund të them që jam ndier aq mirë, nuk e di as vet, nuk ka shkuar ashtu siç e kam pritur. Nuk isha mirë atë ditë, as fizikisht, as psiqikisht por falë Zotit shkoi mirë dhe mora medalje. Sigurisht se jam e lumtur, secila medalje është e mirëseardhur, secila pikë është e mirëseardhur në këtë cikël të fundit olimpik, në këtë vit të fundit, kështu që në përgjithësi po shkon mirë. Shpresoj shumë që ato përgatitjet bazike për Olimpiadë do të shkojnë si duhet. Shpresoj që nuk do të kem probleme me lëndime dhe po besoj gjithçka do të jetë si duhet”, tha Kelmendi.

Kelmendi foli edhe për të ardhmen e saj si trajnere e xhudos, pasi ta përfundojë karrierën e saj të bujshme.

“Është diçka çfarë e bëjë me shumë kënaqësi, më pëlqen shumë ta demonstroj, ta tregoj atë çfarë unë e bëjë më së miri, kështu që po mendoj që do të isha një asistente e mirë e Tonit”, tha në fund Kelmendi.

Majlinda Kelmendi gjatë karrierës së saj i ka dhënë Kosovës tetë medalje të Arta në gara të ndryshme, ndërsa kulmin e kishte arritur në vitin 2013, kur ishte shpallur Kampione e Botës në Rio de Janeiro.