Sport

Pirlo nuk dorëzohet në luftën për titull

Trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo, ka thënë të premten se ai ende beson se “bianconerët” mund ta fitojnë titullin në Serie A. Në rast të një suksesi të tillë, do të ishte hera e dhjetë rresht për “Zonjën e vjetër” që e fiton elitën e futbollit italian.

“Është brenda objektivave tona, ne e dimë se kemi skuadra të forta para nesh, por ne jemi Juventusi dhe duhet të luftojmë deri në fund”, ka deklaruar Pirlo në konferencën për shtyp para duelit në udhëtim te Verona që zhvillohet të shtunën.

Juventusi është në vendin e tretë në Serie A, katër pikë prapa Milanit të vendit të dytë, dhe tetë prapa Interit që është lider.

Skuadra e drejtuar nga Pirlo e ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Dueli i mbetur është ai i xhiros së parë kundër Napolit që u desh të zhvillohej në muajin tetor. Ai duel do të zhvillohet më 17 mars.