Prishtinë, 25 shkurt – Mohamed Darwish ka vetëm gjysmë viti që është në Kosovë, saktësisht në Mitrovicë. Por, për mesfushorin palestinez të Trepçës ‘89, Kosova ishte bërë vend i njohur shumë kohë më parë.
Kur mori ofertën dhe vendosi të vazhdonte karrierën te “xehetarët”, Darwish kishte njohuri të mëdha për Kosovën. 24-vjeçari në Gjermani ka takuar shumë kosovarë dhe informatat për Kosovën i kishte të bollshme edhe para se të vendosej në Mitrovicë.
Ai tregon se është rritur në Gjermani i shoqëruar me shumë kosovarë. Të kaluarën e kishte thuajse të njëjtë me ta. Kosovarët janë larguar në drejtim të Gjermanisë, kryesisht për shkak të luftës dhe vështirësive që solli ajo. Nga konflikti në Palestinë ishte larguar edhe Darwish, që bashkë me familjen ishte vendosur në Gjermani. Në Hannover, qytetin me shumë shqiptarë.
“Kam lindur në Palestinë dhe të gjithë e dinë se si është situata në Palestinë. Kam qenë një ose dyvjeçar kur shkuam në Gjermani. Nuk kam shkuar më në vendin e lindjes, sepse situata është shumë e vështirë. Prindërit i kam në Gjermani, ndërsa pjesa tjetër e familjes ka lëvizur drejt Jordanisë. Kam dëgjuar më herët për ligën e Kosovës, pasi kam shumë shokë nga Kosova. Kam qenë i sigurt se kalimi te Trepça ’89 ka qenë hapi i duhur”, ka thënë Darwish të enjten për KOHËN.
Në fakt, për Darwishin ishte hera e parë që largohet prej Gjermanisë për të zhvilluar karrierën si lojtar. Por nuk kishte frikë të vinte në Kosovë. Thotë se kosovarët janë mikpritës.
“Kam vendosur të vij në Kosovë, sepse tërë jetën time kam luajtur në Gjermani dhe kam dashur të filloj diçka të re. Menaxheri i suksesshëm Mentor Prekazi më ka folur për Trepçën ’89 dhe ka biseduar me presidentin e klubit për mua”, thotë mesfushori 24-vjeçar, që thekson se në Kosovë kishte ardhur për një ndeshje në verë dhe e kishte fituar besimin e të gjithëve.

Darwish para se t’i bashkohej 89-shit ishte pjesë e të rinjve të klubeve të mëdha gjermane, si Borussia Moenchengladbac, Schalke e Hannover. Por, ai kurrë nuk arriti ta bëjë hapin e madh, të luajë për ekipin e parë të ndonjërës prej këtyre klubeve të mëdha.
Shpresën nuk e ka humbur, ndonëse pranon se është vonë dhe goxha problem. Megjithatë, nuk ka hequr dorë nga synimi që të arrijë të luajë në Bundesliga 2.
“Kam nisur të luaj futboll si 7 ose 8-vjeçar, vetëm për t’u kënaqur, si gjithë të tjerët. Një vit më vonë dikush i tha babait tim se e kam shansin të luaj për Borussia Moenchengladbachun. Isha i emocionuar, por gjithçka shkoi mirë dhe qëndrova gjashtë vjet. Nuk e di të ardhmen, por puna ime është që ta jap më të mirën. Të jem i sinqertë, klubi është prapa meje dhe kjo është shumë e rëndësishme”, tha Darwish, i cili është i vetmi në familje që luan futboll, porse të gjithë janë adhurues të mëdhenj të këtij sporti.
Darwishi pjesën e dytë të edicionit e ka nisur mjaft mirë. Shënoi nga gjuajtja e lirë në fitoren minimale ndaj Llapit, 1:0, teksa bëri dy asistime në fitoren ndaj Dritës në udhëtim, 2:1. Dy gola të tjerë i kishte shënuar në nëntor kundër Besës, kur 89-shi fitoi 4:2. Në fillim të kampionatit nuk e pati formën më të mirë fizike.
“Liga e Kosovës është shumë interesante, ka shumë lojtarë të talentuar dhe shumë lojtarë të mirë. Nuk ka ekip të dobët këtu. Unë shpresoj që të bëj edhe më shumë për ekipin, ta vazhdoj formën e ndeshjeve të fundit. Dëshirojmë të fitojmë sa më shumë ndeshje. Shtatë pikë në tri ndeshjet e fundit tregojnë se janë rezultat i punës së madhe që kemi bërë për stinorin pranveror. Jemi ekip i mirë, jemi si një familje”, theksoi Darwish.
Lojtari me tipare ofanzive është edhe reprezentues i Palestinës në futboll. Debutimin e pati më 15 janar të vitit të kaluar në miqësore, kurse ka paraqitje edhe në kualifikimet e Kampionatit Botëror të vitit 2022.
“Luaj për Përfaqësuesen e Palestinës dhe mendoj se për çdo lojtar është nder të luajë për shtetin e vet. E di se i gjithë shteti është pas nesh. Mund ta bëni një shtet si Palestina krenar me vetëm një fitore. Mendoj se të gjithë e dinë se Palestina nuk ka diçka, por ka zemër të madhe për sportin. Kështu që është nder i madh për mua”, ka thënë Darwish, që ka zhvilluar ndeshje në Kupën e Azisë në Kinë e në Kampionatin e Azisë në Indonezi me grupmoshën U23. Ai shpreson në rezultate pozitive në kualifikime të Botërorit 2022.
Darwish asnjëherë nuk ka luajtur në Palestinë me shtetin e tij, shkaku i konfliktit të vazhdueshëm. Edhe përgatitjet e Palestinës thotë se rrallëherë zhvillohen në atë vend.
Për momentin Darwish e ka synimin që të vazhdojë me shkëlqimin te Trepça ’89 dhe të kthejë karrierën në rrugën e duhur. Më pas edhe kontributi te Palestina do të jetë më i madh.