Sport

Ancelotti kërkon kontratë të re tek Evertoni

Foto: Reuters

Carlo Ancelotti është i gatshëm të mbesë trajner i Evertonit përtej vitit 2024 kur edhe i skadon kontrata me ekipin anglez.

Tekniku italian synon që ta udhëheqë Evertonin edhe në edicionin 2024/25 kur ekipi do t’i zhvillojë ndeshjet si vendas në stadiumin e ri me një kapacitet prej 52.888 ulëseve.

Kjo ka bërë që Ancelotti të jetë i gatshëm për të firmosur kontratë të re, e cila do të mbante tek Evertoni të paktën deri në verën e vitit 2025.

“Dua të qëndroj tek Evertoni sa më gjatë që të jetë e mundur. Në fakt, dua të jem trajner i ekipit kur të luajmë në stadiumin e ri pasi do të ishte një arritje e madhe edhe për mua si trajner. Unë jo vetëm që synoj ta respektoj kontratën time deri në fund, por edhe ta vazhdoj qëndrimin tek Evertoni edhe më gjatë”, është shprehur Ancelotti.

Italiani e mori drejtimin e Evertonit në dhjetor të vitit 2019 dhe firmosi kontratë për katër vjet e gjysmë.