Sport

Paviqi beson se Vëllaznimi mund të mbetet në Superligë

Descriptive Text

Fitorja ndaj Sigal Prishtinës e ka bindur trajnerin nga Kroacia, Branimir Paviq, që Vëllaznimi ka ekip për të mbetur në elitën e basketbollit kosovar edhe sezonin e ardhshëm. Skuadra nga Gjakova, në ndeshjen e parë të xhiros së 20-të të Superligës së Kosovës në basketboll ka shkaktuar befasi duke e mposhtur Prishtinën në shtëpi.

Ndeshja e luajtur të mërkurën në Prishtinë është mbyllur me rezultatin 86:74 në të mirë të Vëllaznimit, ekip që me këtë triumf i dha fund serisë prej nëntë humbjeve rresht në kampionat. E humbja nga Vëllaznimi nuk ka kaluar pa pasoja te Prishtina pasi menjëherë pas ndeshjes trajneri Dragan Radoviq ka ofruar dorëheqjen e tij, të cilën ia ka aprovuar kryesia e klubit. Në fakt, disfata nga Vëllaznimi ishte e papritur për Prishtinën që në fillim të këtij muaji triumfoi në Kupën e Kosovës. Për Prishtinën, ky ishte trofeu i dytë këtë edicion pas atij të Superkupës që e fitoi para fillimit të sezonit në muajin tetor të vitit të shkuar. Me gjithë fitoren, Vëllaznimi ka mbetur në pozitën e fundit në tabelë me 25 pikë të mbledhura dhe trajneri Paviq beson se ky sukses ndaj Prishtinës do të jetë motiv shtesë për ekipin e tij që në ndeshjet e tjera të ngjitet gradualisht në renditje dhe të sigurojë pjesëmarrjen në elitë edhe për sezonin e ardhshëm. Deri në fund të pjesës së rregullt kanë mbetur edhe tetë ndeshje të pazhvilluara, që për Vëllaznimin janë jetike. Ekipi që përfundon i fundit në tabelë bie nga Superliga derisa i parafundit do të luajë në plejaut. Vëllaznimi këtë edicion është rikthyer në elitë pas gati tre vjetëve në një kategori më poshtë.

“Në çdo ndeshje ekziston mundësia për të fituar dhe kam përgatitur planin për ta fituar Prishtinën, që natyrisht ishte favorite pasi këtë sezon ka rrëmbyer dy trofe. Megjithatë, ne kishim synimin tonë dhe ia dolëm mbanë, të fitojmë me meritë”, është shprehur Paviqi për KOHËN. “Vështirë është të jepet një prognozë sa i përket mbetjes në elitë pasi liga është shumë e barabartë. Mirëpo, fitorja kundër Prishtinës është një sinjal i qartë dhe, mbi të gjitha, unë kam ardhur te Vëllaznimi për shkak se besoj që mund të mbesim në Superligë”.

Në të vërtetë, për Paviqin kjo ishte ndeshja e parë në kampionat kundër Prishtinës, të cilës ia shkaktoi humbjen e 16-të deri më tani. Ai u emërua trajner i Vëllaznimit më 3 shkurt duke e zëvendësuar Ljupço Malinkovin e shkarkuar dhe debutoi në Kupë pa asnjë stërvitje në humbjen nga Ponte Prizreni në 1/8 e finales. Pas kësaj ndeshjeje skuadrat pushuan për shkak të dueleve të Përfaqësueses së Kosovës dhe Paviqi e shfrytëzoi këtë kohë për ta njohur më mirë ekipin. Ai gjithashtu bëri edhe ndryshime në ekip duke sjellë amerikanët Tiwian Kendley e Ty Nichols, të cilët debutuan ndaj Prishtinës. Tani Paviqi beson se ka ekip të kompletuar me të cilin do të luftojë deri në fund.

“Pas kupës e patëm një pauzë që më mundësoi që ma mirë ta kuptoj gjendjen në ekip dhe në bazë të mundësive të bënim disa ndryshime për t’u futur sa më të përgatitur për rifillimin e sezonit. Ndeshja me Prishtinën ishte shumë e rëndësishme pasi ka kthyer moralin pas një serie prej nëntë humbjeve. Me këtë dëshmuam se mund të luajmë si ekip dhe do të jemi konkurrentë të fortë përballë të gjitha skuadrave tjera”, insistoi Paviq. “Jemi të fundit në tabelë, por do të shkojmë hap pas hapi dhe shpresoj që deri në fund të pjesës së rregullt të marrim rezultate pozitive që do të konfirmojnë qëndrimin e Vëllaznimit në Superligë”.

E pas triumfit ndaj Prishtinës, trajneri Paviq synon fitore edhe ndaj një ekipi tjetër të madh në fundjavë. Vëllaznimi e pret në shtëpi Pejën, ish-ekipin e Paviqit që e udhëhoqi në sezonin 2015/16 si në kampionat ashtu edhe në Ligën Ballkanike. Paviqi e njeh mirë ligën e Kosovës dhe thotë se këtë edicion niveli është i mirë, me të gjitha ekipet të përforcuara dhe të barabarta.

“Kam kujtime të mira si trajner kur isha te Peja, kështu që kur erdhi oferta nga Vëllaznimi nuk hezitova aspak për t’u kthyer në Kosovë që të punoj pasi e njoh ligën”, tha Paviqi. “Tani pres paraqitje të mirë edhe ndaj Pejës, një kundërshtar tjetër i fortë që e synon titullin këtë edicion. Mirëpo, nëse luajmë mirë dhe jemi të përqendruar, atëherë jam i bindur se mund të befasojmë Pejën sikurse Prishtinën”.

Krahas Vëllaznimit fitore të mërkurën në udhëtim ka shënuar edhe skuadra e Trepçës që triumfoi ndaj Rahovecit (78:67). Për Trepçën kjo ishte fitorja e tretë rresht derisa Rahoveci, ekip në të cilën debutoi trajneri nga Greqia, Fotis Takianos e regjistroi humbjen e pestë në pesë ndeshjet e fundit. Drilon Hajrizi me 19 pikë e tetë kërcime ka udhëhequr Trepçën drejt fitores derisa qendra Stavros Toutzaiarkis shtoi 18 pikë e 12 kërcime. Te Rahoveci vetëm dy lojtarë e përfunduan ndeshje me pikë dyshifrore. Isaiah Traylor dhe Alban Veseli shënuan nga 17 pikë për kokë. Kjo xhiro do të mbyllet të enjten, me ndeshjet Ponte Prizreni – Bashkimi (15:00) dhe Peja – Golden Eagle Ylli (17:00).