Sport

Prishtina futet fuqishëm në garë për titull pas serisë prej 12 ndeshjeve pa humbje

Prishtina futet fuqishëm në garë për titull pas serisë prej 12 ndeshjeve pa humbje
 

Prishtinë, 24 shkurt – Tri fitore në po aq ndeshje në stinorin pranveror të Superligës së Kosovës në futboll e kanë afruar Prishtinën në vetëm katër pikë larg pozitës së parë në tabelë, të cilën e mban Ballkani dhe tri më pak se Drita që është e dyta.

Të mërkurën, skuadra nga kryeqyteti mposhti Dritën me rezultatin 2:0, në derbin e javës së 21-të të Superligës. Për Prishtinën, kjo ishte fitorja e tretë brenda një muaji përballë kampiones në fuqi, Dritës. E kishte mposhtur edhe për ndeshjen e Superkupës në Antalia (3:1), si dhe e eliminoi nga 1/8 e finales së Kupës së Kosovës (1:0) pas vazhdimeve. Golat e fitores për Prishtinën në duelin e luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” i shënuan Leotrim Bekteshi (17’) dhe Tun Bardhoku (87’). Ekipi nga Gjilani luajti me dhjetë lojtarë në fushë që nga minuta e 61-të, pasi mbrojtësi afrikan Henry Austine Onoka u përjashtua pas dy kartonëve të verdhë. Në total, kjo ishte përballja e 53 ndërmjet Prishtinës dhe Dritës. Prishtina ka 24 fitore karshi dhjetë humbjeve derisa 19 ndeshje kanë përfunduar pa fitues. Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, pranoi se synimi i ekipit të tij ishte vetëm fitorja, që, sipas tij, u arrit me meritë.