Trajneri i kampionit në fuqi të Evropës, Bayern Muenchenit, Hansi Flick, ka dhënë alarmin për skuadrën e tij. Flick ka paralajmëruar futbollistët që të jenë vigjilentë prej fillimit të ndeshjes kundër Lazios, të cilën Bayerni e luan në udhëtim në kuadër të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve. Flick në konferencën për shtyp të mbajtur të hënën ka thënë se në këtë fazë të Ligës së Kampionëve nuk ka arsyetime dhe ka kërkuar nga ekipi i tij që kundër Lazios të mos i përsërisin gabimet e bëra në dy ndeshjet e fundit të Bundesligës.
Dueli mes Lazios dhe Bayernit zhvillohet të martën mbrëma në stadiumin “Olimpico” të Romës. Bayerni i ka fituar gjashtë trofe në nëntë muajt e fundit, por ka pasur telashe në dy duelet e fundit në kampionat, ku fillimisht barazoi 3:3 me Arminia Bielefeldin përpara se të pësojë humbje vikendin e shkuar nga Eintracht Frankfurti me rezultatin 2:1. Në të dyja këto ndeshje, Bayerni pësoi dy gola i pari dhe pastaj nuk arriti të kthehet. E pikërisht një situatë të tillë, trajneri Flick nuk dëshiron që t’i ndodhë ekipit të tij edhe kundër skuadrës së Lazios.
Sipas Flickut, në këtë fazë të Championsit më nuk ka kthim prapa dhe tashmë u ka bërë me dije futbollistëve se edhe gabimi më i vogël mund të kushtojë me eliminim.
“E dimë shumë mirë se çka na ka ndodhur në dy ndeshjet e fundit në kampionat dhe nuk dua që të njëjtat gabime të na përsëriten kundër Lazios. Kundër Lazios dua që ekipi të sulmojë prej minutës së parë për shkak se jemi në fazën e ndjeshme të Championsit, në të cilën gabimi më i vogël të kushton me eliminim. Kështu që kam besim në ekipin tim dhe pres reagim të fuqishëm kundër Lazios”, është shprehur Flick.
“Nuk ka arsyetime në këtë ndeshje. Nuk luajtëm mirë me Bielefeldin dhe Frankfurtin, por pres të luajmë mirë kundër Lazios. Duhet të jemi të gatshëm për Ligën e Kampionëve. Këto janë ndeshje speciale dhe besoj që nuk ka nevojë për të motivuar futbollistët, sepse e dinë rëndësinë e tyre”.
Për ndeshjen e parë ndaj Lazios skuadra bavareze do të ketë mungesa të mëdha. Do t’i mungojnë lojtarë kyç për shkak të lëndimeve dhe koronavirusit, si Corentin Tolisso, Niklas Suele e Thomas Mueller. Megjithatë, në ekip është kthyer mesfushori Leon Goretzka, i cili do të luajë për herë të parë që nga muaji i kaluar.
Bayern ka forcuar rregullat e higjienës që kur Benjamin Pavardi u bë lojtari i katërt këtë vit që rezultoi pozitiv me koronavirus. Sipas të përditshmes “Bild”, e gjithë skuadra testohet pothuajse çdo ditë për koronavirus dhe lojtarëve u është thënë të qëndrojnë në shtëpi, përveç nëse kanë stërvitje ose ndeshje.
“Ne kemi shumë testime, është pjesë e jetës tashmë”, pranoi Kinglsey Coman. “Ka shumë rregulla dhe rregullore, por ne duhet ti përmbahemi të gjitha këtyre masave paraprake për të qenë në gjendje të luajmë. Ndaj Lazios është ndeshje e rëndësishme që edhe mund të përcaktoj fatin tonë. Të gjitha këto teste, rregulla dhe udhëtime na kanë lodhur. Kemi pak lojtarë por do të japim gjithçka nga vetja, sepse synim kemi edhe që ta mbrojmë trofeun e Championsit”.
Te Lazio presin përballje të vështirë me Bayernin, ekip që javë më parë e fitoi botërorin e klubeve. Këtë e ka pranuar trajneri italian Simone Inzaghi. Inzaghi ka thënë se ekipi i tij është i fokusuar vetëm në përballjen me Bayernin, ekip të cilin shpreson ta eliminoj nga kjo garë në të cilën është favorit.
“Duam të mbesim në këtë garë ende dhe për këtë arsye duhet të marrim rezultat pozitiv ndaj Bayernit. Edhe pse nuk jemi favoritë, unë personalisht pres që ekipi im ta dëshmoj veten kundër kampionit në fuqi të Evropës. Do të japim më të mirën siç kemi bërë në ndeshjet derbi dhe besoj se mund të bëjmë diçka të madhe”, u shpreh Inzaghi.
Ndërkohë, trajneri Thomas Tuchel beson se Chelsea do të jetë në gjendje ta kalojë provimin përballë liderit të La Ligas, Atletico Madridit. Chelsea nuk di për humbje në shtatë ndeshjet e fundit prej se Tuchel e ka marrë përsipër drejtimin e ekipit, pas shkarkimit të Frank Lampardit. Tekniku gjerman beson se londinezët mund ta kalojnë edhe këtë pengesë. Megjithatë, Tuchel thotë se për ta mposhtur një ekip të fortë si Atletico që po tregon këtë edicion paraqitje të mira, ekipi i tij duhet të jetë në formën më të mirë të mundshme.
Dueli mes Atletico Madridit dhe Chelseat zhvillohet gjithashtu të martën prej orës 21:00 në stadiumin “National Arena” të Bukureshtit të Rumanisë, për shkak të rregullave strikte të Qeverisë spanjolle që i ka vendosur si pasojë e koronavirusit.
“Përfundimisht Atletico është testi më i madh për ne deri më tani, të cilin mund ta kalojmë vetëm nëse jemi në nivel të lartë. Përballë kemi një ekip që po luan mirë këtë edicion, ka përvojë në këtë garë dhe udhëhiqet nga një trajner fantastik. Natyrisht, Atletico do të jetë në disavantazh sepse nuk do të luajë në shtëpi dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë përpara ndeshjes së kthimit që e luajmë në Londër”, është shprehur Tuchel, i cili frikën më të madhe ia ka sulmuesit të Atleticos, Luis Suarezit që është golashënuesi më i mirë në La Liga me 16 gola në 20 ndeshje. “Ai është një sulmues natyral dhe duhet të tregohemi të kujdesshëm pasi paraqet rrezik të madh për ne. Nuk duhet të lejojmë të shënojë, sepse mund ta pësojmë”.
Skuadra e Chelseat në këtë ndeshje do të jetë pa qendërmbrojtësin e lënduar Thiago Silva, derisa të gatshëm për lojë pritet të jenë mesfushorët Kai Havertz e Christian Pulishiq.
Dueli me Chelsean do të jetë mundësi e mirë edhe për Atleticon që të kthehet te rezultatet pozitive pas dy ndeshjeve që i luajti javën e shkuar kundër Levantes, ku në njërën barazoi dhe tjetrën e humbi. Trajneri i Atleticos, Simeone beson në ekipin e tij dhe pret reagimin ndaj Chelseat.
“Chelsea ka ndryshuar me ardhjen e Tuchelit në çdo aspekt dhe tani po duket ekip shumë më i fortë dhe i rrezikshëm. Këtë e kemi parasysh dhe po ashtu faktin që nuk do të luajmë në shtëpi. Nuk kemi kurrfarë përparësie, por besoj se jemi të gatshëm për ta dëshmuar forcën tonë”, është shprehur Simeone.
E martë (21:00)
Lazio – Bayern M.
Atl. Madrid – Chelsea