Sport

“Legjionari” i vetëm i Kosovës bashkohet me një javë vonesë, por premton kontribut të rëndësishëm

Fundori Mikaile Tmushiq është basketbollisti i fundit që iu bashkua Përfaqësueses së Kosovës në përgatitje para dy ndeshjeve vendimtare në kuadër të fazës së parë parakualifikuese për Botërorin e vitit 2023. Me ardhjen e Tmushiqit, ekipi i përzgjedhësit Christos Marmarinos është kompletuar për ndeshjet që do t’i luajë në Prishtinë kundër Luksemburgut (18 shkurt) dhe Sllovakisë (20 shkurt) në kuadër të Grupit B.

Kosova e ka nisur grumbullimin të hënën e shkuar, kurse Tmushiq u bashkua një javë më vonë për shkak të angazhimeve që i kishte ndaj klubit të tij. Ai të hënën ka mbajtur seancën e parë stërvitore dhe ka thënë se është plotësisht i gatshëm për dy “ndeshjet jetike”, siç i ka quajtur.

Në fakt, Tmushiq është basketbollisti i vetëm te Kosova që luan jashtë kufijve pasi gjithë të tjerët janë pjesë e ekipeve të Superligës kosovare. Këtu nuk janë llogaritur dy të rinjtë që janë grumbulluar për herë të parë dhe që nuk dihet nëse do të jenë në ekipin final.

Tmushiq pas katër sezoneve në Kosovë, te Bashkimi e Prishtina, ekipe me të cilat ka fituar titullin e kampionit, vendosi që para fillimit të këtij edicioni të vazhdojë karrierën në Mal të Zi, prej nga edhe vjen. Ai iu bashkua ekipit të Podgoricës me të cilin ka kontratë deri në fund të sezonit dhe po luan me një mesatare prej 12 pikëve për ndeshje.

“Është e vërtetë që jam lojtari i vetëm që luaj jashtë Kosovës, duke pasur parasysh rrethanat e krijuara dhe më vjen shumë mirë që përzgjedhësi Marmarimos ka besim të madh në mua. Për këtë jam krenar dhe njëkohësisht i obliguar të jap gjithçka nga vetja për ta ndihmuar ekipin që të shënojë fitore në këto dy ndeshje të rëndësishme dhe të avancojë tutje”, është shprehur Tmushiq për KOHËN.

“Unë nuk arrita të jem pjesë e grumbullimit prej fillimit për shkak të angazhimeve që kisha ndaj klubit tim, por kjo për mua nuk paraqet ndonjë problem pasi mund të adaptohem shumë lehtë dhe trajneri më njeh”.

Tmushiq beson se Kosova është më e fortë dhe më e kompletuar për këtë dy ndeshje sesa që ishte në muajin nëntor kur pësoi dy humbje në Sllovaki në po aq duele të luajtura. Në të vërtetë, këto ishin edhe humbjet e para për Kosovën në këtë fazë parakualifikuese pas startit të mirë që e pati. Në dy ndeshjet e para të luajtura në muajin shkurt të vitit të shkuar, Kosova e mposhti në shtëpi Islandën (80:78) përpara se ta mposhte në udhëtim Luksemburgun (84:80). Ndërsa në nëntor, Kosova pësoi bindshëm nga Sllovakia (91:76) e Islanda (86:62) në ndeshjet e luajtura në Bratisllavë, për shkak të situatës së krijuar me koronavirusin. Në Bratisllavë, Kosova ishte pa kapitenin Dardan Berisha si dhe pa Gëzim Morinën e Samir Zekiqin, të cilët do të jenë pjesë e “Dardanëve” për dy ndeshjet e fundit.

Ndërkohë është ftuar edhe amerikani i natyralizuar Divine Myles që muajin e shkuar iu bashkua Ponte Prizrenit.

“Jo vetëm unë, por të gjithë në grumbullim, jemi optimistë për këto dy ndeshje, pasi jemi me përbërjen e kompletuar për dallim prej muajit nëntor kur patëm mungesa të mëdha”, shtoi Tmushiq. “Atmosfera është e mirë në ekip dhe përgatitjet deri më tani kanë shkuar sipas planit. E rëndësishme është se nuk kemi të lënduar dhe të gjithë me padurim po i presim përballjet në të cilat do të përcaktohet edhe fati jonë”.

Pas katër ndeshjeve të zhvilluara në këto parakualifikime, Kosova zë vendin e tretë në tabelë me gjashtë pikë të mbledhura, sa i ka edhe Sllovakia në pozitën e dytë. Grupit i prin Islanda me shtatë pikë, derisa Luksemburgu është i fundit me pesë pikë. Dy ekipet e para në grup avancojnë tutje dhe Kosovës i duhen fitore në duelet me Luksemburgun dhe Sllovakinë për të vazhduar tutje.

“Synimi është t’i fitojmë këto ndeshje, pasi duam të vazhdojmë tutje. Jemi të gatshëm ta përfaqësojmë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme, ndonëse më vjen keq që tifozët nuk do ti kemi në tribuna”, u shpreh Tmushiq.

Sa i përket së ardhmes së tij, Tmushiq tha se ende është herët për të marrë një vendim.

“Nuk e di se a do të kthehem në Kosovë për të luajtur. Ende jam në Mal të Zi dhe aty po ndihem mirë për momentin. Nuk kam planifikuar asgjë për sezonin tjetër, pasi dua fillimisht ta mbyll këtë sezon në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Tmushiq, ekipi i të cilit Podgorica është në vendin e tretë në kampionatin e Malit të Zi me nëntë fitore e katër humbje në 13 ndeshje të luajtura këtë sezon.


Përfaqësueset vendosen në Prishtinë

Islanda, Sllovakia dhe Luksemburgu kanë zbarkuar në Prishtinë dhe kanë zhvilluar stërvitjet e para në prag të ndeshjeve parakualifikuese të Botërorit 2023 në basketboll, ka njoftuar Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), të hënën. Prej 15 deri më 20 shkurt, këto tri përfaqësuese do të qëndrojnë në Prishtinë pasi ndeshjet e fundit të kësaj faze parakualifikuese që do të luhen në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.

“Përfaqësueset e Grupit B të cilat kanë zbarkuar në Prishtinë për ndeshjet e mbetura kanë filluar stërvitjet e para. Nga 15 deri më 20 shkurt, Prishtina do të mirëpresë edhe Islandën, Sllovakinë dhe Luksemburgun në dritaren e tretë të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2023”, ka shkruar ndër të tjera FBK.

Më 18 shkurt do të zhvillohen dy ndeshje: Sllovakia – Islanda (16:00) e Kosova – Luksemburgu (19:00). Kurse dy ditë më vonë do të luhen takimet Luksemburgu – Islanda (16:00) dhe Kosova – Sllovakia (19:00). Të gjitha këto ndeshje i takojnë Grupit B parakualifikues, të cilit i prin Islanda me shtatë pikë pas katër ndeshjeve të luajtura.