Sport

Rashica po kthehet në formë, paralajmëron pranverë të bujshme

Për herë të parë që nga nëntori i vitit të shkuar, Milot Rashica luajti te Werder Bremeni për 90 minuta në kampionat, të shtunën kundër Freiburgut. Deri diku, kosovari i talentuar ishte në gjendje të tregoj sërish potencialin e tij. Trajneri i Bremenit, Florian Kohfeldt është optimist i madh dhe pret shumë prej Rashicës, i cili duket se përfundimisht ka tejkaluar problemet që i pati me lëndimet.

Kur Rashica fillon të vrapojë shpejt, vetëm disa profesionistë në Bundesligë mund ta mbajnë ritmin me të. I njohur te Werderi me nofkën “Raketa”, Rashica do të përmirësohet ende. Pritjet janë që të kthehet në formën e tij më të mirë pasi ende i mungon ritmi që e ka pasur. Mirëpo, paraqitja e fundit, në të cilën Werderi luajti pa gola kundër Freiburgut, i ka dhënë shpresa të mëdha trajnerit Kohfeldt.

“Ai po kthehet dhe së shpejti do të kapë ritmin e tij, pasi sinjalet janë nga ndeshja e fundit”, ka pranuar Kohfeldt. “Ndaj Freiburgut nuk bëri mjaftueshëm, por me rëndësi luajti tërë ndeshjen”.

Për Rashicën gjithsesi ishte vendimtare që ai për ndeshjen e dytë rresht ishte titullar, pas lëndimit të pësuar në kofshë në fillim të muajit dhjetor. Ai u detyrua të qëndrojë jashtë fushës për disa javë. Pas kthimit që e pati në ndeshjen për Kupën e Gjermanisë kundër Greuther Fuerthit, Rashica 24-vjeçar ishte për herë të parë në fushë për 90 minuta ndaj Freiburgut që nga 21 nëntori.

“Po ndihem shumë më mirë dhe nuk kam më probleme me trupin tim. Unë jam në rrugën e duhur për t’u kthyer fuqishëm”, paralajmëroi Rashica në një intervistë dhënë uebfaqes së klubit të tij.

Edhe Kohfeldt beson se Rashica është në rrugën e duhur. Madje, trajneri i Bremenit theksoi se sulmuesi kosovar “ishte shumë i përkushtuar në lojë” kundër Freiburgut. Sipas tij, paraqitje të tilla Rashica ka pasur në të shkuarën kur brohoritej për golat që i shënonte nga tifozët, të cilët aktualisht nuk janë në tribuna, për shkak të situatës së krijuar me pandeminë.

“Një sulmues si Rashica duhet të gjejë mënyra për të pastruar hapësirën për të tjerët, siç janë Sargent dhe Selke. E them këtë për shkak se një gjë e tillë është e rëndësishme për lojën tonë që bazohet në këtë strategji”, shtoi Kohfeldt. “Kështu që Rashica zakonisht merr topin ose shënon golin dhe për këtë arsye është i rëndësishëm. Ai duhet të vlerësohet nga të tjerët”.

Vetë Rashica dëshiron të përdorë praktikën e re të lojës së Bremenit për të ndërtuar formën e tij madhështore të kohëve të kaluara. Ai insiston se është shumë i përkushtuar në stërvitje dhe së shpejti pritet të jetë i vjetri.

“Kam nevojë për më shumë besim me topin në mënyrë që të gjejë rrugën time për në lojën time. Ndoshta kjo ende mungon”, pranoi Rashica.

Kundër Freiburgut, trajneri Kohfeldt pa potencialin e lojtarit të jashtëzakonshëm ofensiv në “një ose dy situata”.

“Rashica në përgjithësi pati një notë pozitive dhe këtë e dëshmoi në disa raste”, shtoi Kohfeldt.

Kur në afatin e kaluar kalimtar u vërtetua se Rashica nuk do të largohej nga klubi, për shkak se nuk kishte asnjë blerës për një tarifë prej 15 milionë eurosh sa kërkonte Werderi, trajneri Kohfeldt parashikoi se “kjo do të jetë një gjë shumë e mirë për klubin në stinorin pranveror”. Dhe, bazuar në atë se çfarë Rashica premton te Bremeni pas ndeshjes me Freiburgun, në klub mbesin optimistë se në verë do të gjendet ndonjë blerës për kartonin e tij. Te Bremeni shpresojnë fuqishëm për këtë.

“Rashica bëhet më i dukshëm kur shënon gola dhe asiston, gjë që e presim prej tij deri në fund të sezonit”, tha Kohfeldt.

Ndërsa, me këto fjalë të trajnerit duket se po pajtohet edhe Rashica.

“Unë dua ta mbyll sezonin me sa më shumë gola dhe asistime”.

Rashica, i cili iu bashkua Bremenit në janar të vitit 2018, këtë edicion ka vetëm dy asistime në 11 paraqitje për ekipin nga Bundesliga në të gjitha garat. \ Kicker.de