Të gjitha klubet i pëlqejnë dhe favorizojnë transferimet falas të lojtarëve, me afatin kalimtar të verës që pritet të shohë përsëritje të shpenzimeve të ulëta të muajit të kaluar në të gjithë Evropën.
Afati kalimtar i verës sërish do të nxjerrë në pah shumë klube që do të hezitojnë të paguajnë tarifa të larta për transferimin e futbollistëve. Kështu që, kjo verë pritet të jetë shumë e nxehtë pasi disa prej lojtarëve më të mirë në futbollin evropian do të jenë në kërkim të klubeve të reja pasi kontratat e tyre aktuale skadojnë në fund të muajit qershor. Njëri prej yjeve më të mëdha të afatit kalimtar të verës pritet të jetë ylli argjentinas Lionel Messi, i cili ende nuk ka rinovuar kontratën me Barcelonën, që i skadon në fund të këtij edicioni, duke lënë të hapur mundësinë e largimit nga “Camp Nou”.
Megjithatë, Messi nuk është ylli i vetëm për shkak se listës së lojtarëve të lirë do t’i shtohen edhe një numër i madh futbollistësh, të cilët mund të krijojnë një 11-she që pa ndonjë telashe do të mund ta fitonte titullin e kampionit në njërën prej top-ligave të Evropës.
Gianluigi Donnarumma (portier)
Skuadra e Milanit po shkëlqen këtë sezon në Serie A, por ka një pikëpyetje sa i përket numrit një të padiskutueshëm tek Italia, portierit Gianluigi Donnarumma. Donnaruma, i cili ka regjistruar mbi 200 ndeshje te Milani prej debutimit në moshën 16-vjeçare, po heziton ta rinovojë kontratën me ekipin italian. 21-vjeçari është njëri prej portierëve më të vlerësuar në botë dhe normalisht kartoni i tij vlerësohet mbi 50 milionë euro. Mirëpo Donnarumma pritet të largohet nga “San Siro” në verë për shkak se negociatat me klubin për rinovimin e kontratës janë “ngrirë” për shkak të kërkesës së tij për një pagë të lartë.
Jerome Boateng (qendërmbrojtës)
Fituesi i Kupës së Botës me Përfaqësuesen e Gjermanisë, Jerome Boateng edhe këtë edicion është titullar i padiskutueshëm te Bayern Munichu, ekip që sërish është lider në Bundesligë dhe favorit për titullin e kampionit. Ish-mbrojtësi i Manchester Cityt, Boateng është i gatshëm për të rinovuar kontratën me bavarezët, por drejtuesit e klubit kanë dyshimet e veta dhe nuk janë futur fare në negociata. Bazuar në këtë veprim, Bayerni po e lë të lirë të largohet 32-vjeçarin për një aventurë tjetër në karrierën e tij.
Sergio Ramos (qendërmbrojtës)
Kapiteni i Real Madridit, Ramos, vlerësohet si njëri prej mbrojtësve më të mirë në botë, me gati 700 paraqitje dhe 100 gola të shënuar për ekipin nga La Liga. Ramos muajin e ardhshëm do të mbushë 35 vjet, kurse në fund të sezonit do të largohet nga Reali. Klubi i ka ofruar atij rinovimin e kontratës për një vit, gjë që Ramos e ka refuzuar për shkak të uljes së pagës nga 10.5 milionë në 8.8 milionë euro.
David Alaba (qendërmbrojtës)
Futbollisti i Përfaqësueses së Austrisë, David Alaba, është mbrojtësi i dytë kryesor që do të largohet nga Bayern Munichu në verë. Alaba refuzoi kontratën e re të Bayernit dhe tashmë ka vendosur që karrierën ta vazhdojë në një kampionat tjetër. 28-vjeçari, i cili mund të luajë edhe më mesfushë është i lidhur ngushtë me një transferim te Real Madridi, ku do ta zëvendësojë Sergio Ramosin.
Fernandinho (mesfushor)
Mesfushori brazilian Fernandinho ka regjistruar më shumë se 300 paraqitje për Manchester Cityn dhe ka fituar trofe të shumtë, por 35-vjeçari ka vendosur të largohet në verë nga ekipi anglez përkundër ofertës nga trajneri Pep Guardiola për të vazhduar kontratën të paktën edhe për një sezon. Fernandinho ka qenë njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm të Guardiolas te City dhe pritet që sezonin e ardhshëm të luajë në vendlindje, Brazil pasi tashmë po negocion me disa prej skuadrave të këtij vendi.
Georginio Wijnaldum (mesfushor)
Reprezentuesi i Holandës, Georginio Wijnaldum, do të jetë lojtari i parë që do të largohet nga Liverpooli në fund të këtij edicioni. Wijnaldum tashmë disa herë ka refuzuar kontratën e re, pasi është i vendosur që të luajë në një kampionat tjetër. Pritet që 30-vjeçari në verë të realizojë ëndrrën e fëmijërisë për të luajtur te Barcelona, ekip me të cilin thuhet se tashmë ka firmosur parakontratë.
Memphis Depay (mesfushor krahu)
Memphis Depay, që dështoi te Manchester Unitedi, ka ringjallur karrierën e tij në Francë te Lyoni, ekip prej të cilit do të largohet në verë si futbollist i lirë pasi ka refuzuar vazhdimin e kontratës. Interesimi i skuadrave të Evropës është i madh për 26-vjeçarin, i cili më herët ka favorizuar kalimin te Barcelona. Megjithatë, fuqishëm në garë për holandezin është futur edhe Borussia Dortmundi.
Julian Draxler (mesfushor krahu)
Mesfushori i Përfaqësueses së Gjermanisë, Julian Draxler, këtë edicion nuk ka pasur stabilitet te skuadra nga Ligue 1, Paris Saint-Germain. 27-vjeçari, tashmë ka bërë të ditur se në fund të këtij edicioni do të largohet nga ekipi francez, kurse emrin e ekipit të ri ka paralajmëruar se do ta bëjë të ditur në muajin e ardhshëm.
Angel Di Maria (sulmues krahu)
Një tjetër lojtar i Paris Saint-Germainit do të largohet në verë, kur i skadon kontrata. Argjentinasi Angel Di Maria nuk do ta rinovojë kontratën dhe tashmë është në negociata me disa skuadra evropiane për të vazhduar karrierën. 32-vjeçari që ka pasur suksese të parisienët, duke fituar katër tituj kampioni të Francës, ka deklaruar se është shumë i qetë sa i përket së ardhmes së tij, e cila do të jetë larg PSG-së.
Lionel Messi (sulmues krahu)
Lojtari më i mirë i të gjitha kohërave do të jetë i lirë në verë falas. Lionel Messi këtë muaj mund të futet në negociatat me ekipet që nuk janë nga Spanja dhe gjasat janë të mëdha që ai të transferohet në Angli apo Francë, te Manchester Citu apo Paris Saint-Germaini. Messi para fillimit të këtij edicioni kërkoi largimin nga Barcelona, por klubi bllokoi gjithçka duke e bindur të qëndrojë. 33-vjeçari ka thënë se në fund të këtij sezoni do të vendosë për të ardhmen e tij.
Sergio Aguero (qendërsulmues)
Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave te Manchester City, Sergio Aguero do të largohet në verë dhe me këtë fakt janë pajtuar edhe tek ekipi anglez. 32-vjeçari këtë edicion ka pasur telashe të shumta me lëndimet, por nuk do të mbetet te City. Atij i është ofruar kontrata e re me një pagë të përgjysmuar, të cilën tashmë e ka refuzuar. Aguero është pjesë e Cityt prej verës së vitit 2011.