Sport

FIFA gjobiti Trepçën ’89 me 29 mijë euro

Trepça ’89 është gjobitur nga FIFA me 29 mijë e 300 euro. Kjo ka ndodhur për shkak të padisë që ia kishte bërë klubi nga Greqia, PAS Gianina, për futbollisti francez me prejardhje nga Bregu i Fildishtë, Franck Betra.

Sulmuesi 24-vjeçar i ishte bashkuar ekipit kosovar në verën e vitit 2019, por ai kalim doli të jetë i komplikuar.

Pos gjobës financiare, FIFA kishte bllokuar edhe afatin kalimtar të janarit për “xehetarët”, të cilët kanë rrezikuar që të mos mund ta regjistrojnë asnjë lojtar në janar. Të gjitha këto i ka bërë të ditur për KOHËN, presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka. Ai ka thënë se nuk kanë qenë në dijeni për gjobën dhe se në momentet e fundit e kanë kuptuar.

“Neve askush nuk na ka njoftuar se jemi të dënuar nga FIFA. 3-4 ditë para se të mbyllet afati kalimtar na kanë thirrur dhe mezi ia kemi dalë që ta rregullojmë këtë çështje në aspektet procedurale. I kemi paguar 29 mijë e 300 euro dhe gjithçka është rregulluar. Lojtarët që i kemi marrë në afatin kalimtar të janarit i kemi regjistruar dhe ata do të kenë të drejtë të paraqiten me ekipin në stinorin pranveror. Për këtë e kemi marrë edhe konfirmimin përmes sistemit TMS”, tha Zeka të hënën.

Ai sqaron se për çka ishte paditur klubi që drejton nga klubi grek. I pari i klubit mitrovicas madje dyshon edhe në Federatën e Futbollit të Kosovës, e cila sipas Zekës nuk e ka njoftuar me kohë.

“Dënimi ka të bëjë me kompensimin e trainingut, edhe pse ne e kemi marrë si lojtar të lirë. Padia ka ardhur nga një klub në Greqi për futbollistin Betra. Ishte e vështirë edhe kontakti me drejtuesit e klubit grek, por në fund ia arritëm që ta mbyllim me sukses. Nuk e di pse nuk jemi njoftuar më herët. As Federata e Futbollit nuk na ka njoftuar. Si duket dikujt po i pengojnë këto sukseset e Trepçës ’89 që po transferon lojtarë jashtë vendit”, deklaroi Zeka.

Probleme të tilla me bllokim të afatit kalimtar kanë pasur edhe Prishtina dhe Ballkani. Të dyja është dashur të shlyejnë borxhet ndaj lojtarëve për të pasur mundësi të regjistrojnë lojtarë të rinj. Prishtinës i kishte ndodhur në afatin kalimtar të verës së vitit 2020, kurse Ballkanit në këtë afat kalimtar.

Abedin Zeka konfirmoi kalimin e Milot Avdylit në Zvicër te klubi i Aaraut. Zeka pohoi se nuk ka marrë para nga transferimi i Avdylit, por thekson se do të ketë në posedim 50 për qind të kartonit të lojtarit. Presidenti i klubit nga Mitrovica u shpreh se Avdyli nuk është lojtari i vetëm që do të largohet nga Trepça ’89.

Sipas tij, sulmuesi Charlisen Bismark do të kalojë në Bullgari te klubi i CSKA Sofjes. Bismarku është golashënuesi më i mirë i 89-shit në vjeshtë me gjashtë gola të realizuar në Superligë.

“Jo vetëm Avdyli, nga Trepça ’89 sipas të gjitha gjasave do të largohet edhe sulmuesi Bismark. Për të kam interesime të shumta, por më së afërmi është klubi i CSKA Sofjes, më të cilin jemi afër finalizimit të marrëveshjes”, u shpreh Zeka, i cili theksoi se ky është vetëm fillimi.

“Kam oferta edhe për 3-4 lojtarë të tjerë, por në janar nuk do të largojmë më asnjë lojtar, pasi mbetet ekipi shumë keq. Në verë do të transferohen në Evropë edhe disa lojtarë të rinj e të talentuar që i kemi në ekip. Unë si president i klubit ndihem shumë mirë që në vitet e fundit kemi punuar aq shumë sa që puna ka filluar të shpërblehet”, përfundoi Zeka.

Nga Trepça ’89 në futbollin evropian kanë kaluar edhe: Florent Hasani (Diosgyori – Hungari), Rron Broja (Gent-Belgjikë), Arb Manaj (Keçiorengucu-Turqi).

Viteve të fundit, e sidomos pas pranimit në UEFA dhe në FIFA në vitin 2016, pas pjesëmarrjes së klubeve kosovare në garat evropiane dhe me përfaqësueset e Kosovës, kalimi i lojtarëve kosovarë në futbollin evropian është në rritje.