Prishtinë, 31 janar – Më 10 tetor të vitit të kaluar boksieri kosovar, Haxhi Krasniqi, shkroi histori. Ai u bë shqiptari i parë me titull të botës në boksin profesionist. Krasniqi 33-vjeçar ka realizuar ëndrrën, por ai është i gatshëm për gjëra të tjera të mëdha.
Junikasi synon të përballet me boksierët më të mëdhenj të kategorisë gjysmë të rëndë. Por, fillimisht do të mbrojë titullin e botës ndaj Dominic Boeselit. Datë për rimeç me Boeselin nuk ka deri më tani.
Krasniqi në Magdeburg të Gjermanisë kishte nokautuar në rund të tretë Boselin për t’ia marrë titullin e përkohshëm të botës në versionin WBA (World Boxing Association) në kategorinë gjysmë të rëndë. Meçi ishte i vlefshëm edhe për titullin e botës në versionin IBO, që nuk është në mesin e katër versioneve kryesore të boksit profesionist.
Krasniqi, që njihet me emrin Robin, ka bilanc prej 51 fitoresh e gjashtë humbjesh. Në një intervistë për sajtin e njohur të boksit, “box-sport.de”, Krasniqi ka folur për karrierën e tij, por edhe për planet për të ardhmen.
“Së pari do të mbroj titullin më pas do të flas me promotorin Ulf Steinforth, për rrugën të cilën do të ndjekim. Për rimeçin me Dominic Boesel tashmë jemi marrë vesh. Unë jam i gatshëm”, ka thënë Krasniqi.
Artur Beterbiev mban titullin në versionin WBC në kategorinë gjysmë të rëndë. Ai ka titullin edhe në versionin IBF. Ndërsa në WBA, Dmitry Bivol është superkampion, ndërsa titullin e rregullt e mban Jean Pascal. Titull në këtë version ka edhe Krasniqi. Në WBO, versionin e katërt të njohur, titulli në kategorinë gjysmë të rëndë është vakant. Beterbiev, Bivol apo Pascal mund të jenë kundërshtarë të ardhshëm të Krasniqit.
“Të gjithë janë boksierë të jashtëzakonshëm dhe kam shumë respekt për ta. Por unë jam person që me kënaqësi pranon sfida të tilla. Kam dëshmuar në karrierën time se çdo gjë mund të arrish nëse ke vullnet. Unë jam aq i disiplinuar sa do të mund të matesha me çdonjërin nga këta kampionë dhe të fitoja”, ka shtuar Krasniqi.
Sipas Krasniqit, pas dështimeve është e rëndësishme të mësosh dhe të jesh më i disiplinuar. Më e rëndësishmja, thotë Krasniqi, është të mos heqësh dorë.
Duke folur për të kaluarën e tij jo shumë të lehtë, Krasniqi ka thënë se në fillim nuk kanë besuar në potencialin e tij. Por ai vendosi të ndjekë ëndrrat dhe të punojë shumë për to. Dhe tashmë Krasniqi flet si kampion botëror dhe si boksier që ka dëshmuar se çdo gjë mund të arrihet me punë, edhe pa lidhjet e duhura dhe pa mbështetjen e madhe të atyre që vendosin.