Sport

Xhemaili asiston për fitore

Mesfushori Blerim Xhemaili vazhdon me startin e fuqishëm te Zuerichu. Ai të shtunën mbrëma asistoi në golin vendimtar në fitoren 3:2 të Zuerichut në udhëtim ndaj St. Gallenit.

Ndeshja i takoi xhiros së 17-të të Superligës së Zvicrës në futboll. Ish-reprezentuesi i Zvicrës, që është kthyer te Zuerichu pas 13 vjetësh, në fund të pjesës së parë pasoi mjeshtërisht për Salim Khalifi që realizoi për 3:2. Në pjesën e dytë shifrat nuk ndryshuan.

Te Zuerichu startuan edhe Fidan Aliti e Mirlind Kryeziu, dy mbrojtësit e Kosovës. U aktivizuan edhe Hekuran Kryeziu e Toni Domgjoni. Benjamin Kololli është i lënduar.

Te St. Galleni ndeshjen e kompletoi mbrojtësi tjetër i Kosovës, Betim Fazliji.

Zuerichu është i treti me 25 pikë ndërsa St. Galleni renditet i pesti me 23 pikë, por ka një ndeshje më pak të luajtur.